Nisma e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ta rrëzuar Qeverinë Kurti II nuk duket se po merr përkrahje nga partitë tjera opozitare. Nënshkrimet e nevojshme nuk janë mbledhur akoma, e pushteti këtë po e quan thikë pas shpine në kohën kur Kosova po përballet me tensione
Më 25 mars të vitit 2020 Qeveria Kurti ishte rrëzuar nga pushteti me votat e 82 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Një gjë e tillë po tentohet të bëhet përsëri.
Kësaj here, këtë qëllim e ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ama kjo parti nuk i ka mbledhur akoma nënshkrimet e nevojshme.
“Mund të them që nuk kemi arritur që t’i marrim të gjitha nënshkrimet e nevojshme që ne të procedojmë për mocion mosbesimi, por jemi në konsulta dhe ne këtë mocion nuk e kemi për se Qeveria Kurti dëshiron me shtrua sovranitetin, është e kundërta”, ka thënë Pal Lekaj.
Kundër këtij mocioni duket të jetë partia më e madhe opozitare në vend, PDK.
Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri po thotë se dështimi eventual i këtij mocioni do të pamundësonte ngritjen e serishme të tij brenda një kohe të shkurtër.
“Ne nuk do të lejojmë si grup parlamentar që një mocion i tillë të vijë e të dështoj sepse pastaj Kushtetua jep periudhe kohore prej 3 muajsh që mocione të tilla të mos thirren nga grupet parlamentare, qoftë ato pozitë ose opozitë”, ka thënë Tahiri.
E paralajmërimeve se mbështetës të mocionit të mosbesimit mund të ketë edhe në Lëvizjen Vetëvendosje u përgjigjet deputeti i kësaj partie, Armend Muja.
“Kurrë më shumë unitet nuk kemi pas në Lëvizjen Vetëvendosje, do e shihni edhe në votimet e javët të ardhshme. Por shikoni sa herë që Kosova po ka vështirësi po ka ca tendenca të thuhet që është prishur grupi, por këto gjëra duhet të thuhen hapur e jo sikur thika pas shpine”, ka thënë Muja.
Të martën kundër këtij mocioni mosbesimi ka dal edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se një e tillë aktualisht nuk ka gjasë të ndodhë.