Telegrafi

NISMA dhe AKR-ja i përgjigjen ftesës së Haradinajt, thonë se janë të gatshëm për takim

Pas ftesës që kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, u bëri partnerëve të koalicionit për një takim konsultativ, këta të fundit janë deklaruar nëse do të takohen me të.

Bilall Sherifi, kryetar i grupit parlamentar të NISMA-s, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se kreu i kësaj partie do të shkojë në takimin e thirrur nga kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Sherifi theksoi se nuk e di nëse është takim i veçantë apo i përbashkët me partnerët e koalicionit.

“Fatmir Limaj ka marrë ftesë për një takim me Haradinajn. Nuk e di a do të jetë takim i veçantë apo me partnerët e koalicionit qeverisës, por e di që sot do të takohen, ndërsa orën nuk e di”, ka thënë ai.

Edhe anëtari i kryesisë së Nisma-s Socialdemokrate, Fazli Hoxha, e ka konfirmuar takimin me Haradinajn.

Ai ka thënë se do të marrin pjesë në cilëndo orë që thirret.

Lexo po ashtu Takimi i thirrur nga Haradinaj zhvillohet në ora 14:00, nëse i përgjigjen partnerët e koalicionit

“Nisma Socialdemokrate do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga kryeministri në dorëheqje z. Haradinaj, dhe do të shohim se cilat janë temat e këtij takimi. Nisma Socialdemokrate që nga themelimi ka treguar seriozitet karshi proceseve institucionale të vendit, qoftë edhe me partnerët e saj në bashkëqeverisje. Në cilën orë të thirret takimi ne i përgjigjemi”, ka thënë ai.

Ndërsa, Jetlir Zyberaj, këshilltar i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, në një deklaratë për Telegrafin ka lënë hapur mundësinë e pjesëmarrjes në këtë takim.

“Ne takime zhvillojmë me të gjithë. Në situatën e krijuar është Kushtetuta ajo që e përcakton procesin, pa marrë parasysh konsultat që ne i zhvillojmë. Ne jemi deklaruar që zgjedhjet janë opsioni që ne e konsiderojmë të duhurin për zgjidhjen e kësaj situate”, ka thënë ai.

Telegrafi ka kontaktuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës, për të marrë përgjigje nëse do të jenë në këtë takim, por nuk janë deklaruar.

Ndryshe Telegrafi merr vesh nga burime brenda zyrës së kryeministrit se takimi do të mbahet në orën 14:00. /Telegrafi/