Site icon Telegrafi

Nisje e mbarë për Donat Rrudhanin në Zvicër, gol dhe tre pikë Young Boysit: Pritjes i erdhi fundi, shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm

Donat Rrudhani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2024 me fanellën e Young Boys Bernit.

Reprezentuesi kosovar e nisi për mrekulli këtë vit, pasi goli i tij në minutën e 73-të i dha tre pikë të mëdha YB-së në garën për titullin e kampionit duke mposhtur Grasshopperin me rezultat 1-0.

Ky gol nuk ishte i rëndësishëm vetëm për rezultatin final të ndeshjes, ishte goli i parë personal i Rrudhanit në Superligën e Zvicrës dhe po ashtu goli i parë që u shënua në elitën e futbollit zviceran për këtë vit.

Në një intervistë për Telegrafin, Rrudhani foli për rëndësinë e golit, pritjet e tij për të ardhmen me klubin, dhe dëshirën e tij për të kontribuar në suksesin e ekipit kombëtar të Kosovës.

Lexo po ashtu Donat Rrudhani shënon ndaj Grasshopers, goli i tij ia sjell fitoren Young Boysit

“Ky gol ishte shumë i rëndësishëm për mua, duke qenë se ishte goli im i parë personal në Superligën Zvicerane, dhe për të qenë i sinqertë, është ndjesi e veçantë të di që isha ai që shënoi gol të parë në tërë Zvicrën për vitin 2024”, tha Rrudhani.

“Ishte një moment ku ndjeva se të gjithë ato orët e sakrifica në stërvitje dhe përkushtimi ndaj futbollit dhanë frytet. Është një kujtim që do ta mbaj me vete në çdo hap të mëtejshëm të karrierës time”, u shpreh Rrudhani për Telegrafin.

Young Boysi është kampion në fuqi i Zvicrës, por skuadra verdhezi ka për objektiv ta mbrojë titullin e kampionit dhe trofeun e Kupës.

“Besoj se po pasi kemi ekip të mirë dhe duam t’i arrijmë objektivat që kemi dhe ato janë titulli i kampionit dhe Kupa e Zvicrës. Kemi ekip shumë të mirë dhe një staf teknik shumë të përgatitur dhe besoj se në fund do t’i arrijmë objektivat tona”, vazhdoi tutje Rrudhani.

24-vjeçari nuk është ftuar nga Kosova në tre grumbullimet e fundit, derisa ka kapur tani formën më të mirë pret që të jetë në mesin e futbollistëve të grumbulluar në muajin mars.

Reprezentuesi kosovar ka thënë se mezi pret ftesën pasi të luaj për Dardanët është nderë dhe privilegj.

“Po, Kosovën e pres gjithmonë me krahët hapur, dhe mezi pres të jem pjesë e grumbullimeve të ardhshme. Përfaqësimi i vendit tim në arenën ndërkombëtare është nder dhe privilegj, dhe do të bëj gjithçka në mundësitë e mia për të kontribuar në suksesin e Kombëtares”, vazhdoi tutje Rrudhani.

Krejt në fund ai foli edhe për pritshmëritë që ka në vitin 2024, ku synon të jetë i shëndetshëm dhe të luaj sa më shumë duke kontribuar edhe me gola dhe asistime.

“Gjatë vitit 2024 dëshira ime është të kem shëndet të mirë, të luaj sa më shumë mundem, të shënoj sa më shumë gola dhe sigurisht, të fitoj trofetë e radhës. Këto janë objektivat që kam vendosur për veten dhe jam i vendosur të punoj fort për t’i bërë realitet”, u shpreh mesfushori anësorë dardan.

Rrudhani iu bashkua sezonin e kaluar Young Boysit nga Aarau, derisa deri më tani ka 47 ndeshje me fanellën e gjigantit zviceran ku ka realizuar tre gola dhe ka asistuar në shtatë të tjerë në të gjitha garat. /Telegrafi/

Exit mobile version