Site icon Telegrafi

Nisja e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, nga LVV thonë se projekti ka probleme ligjore dhe kosto shumë të lartë

Të hënën në Prishtinë kanë nisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë njoftimit për nisjen e punimeve e quajti këtë një hap të madh drejt transformimit të kësaj hapësire.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se mbështesin çdo projekt që bëhet për qytetin, por në rastin në fjalë kanë disa shqetësime. Asamblisti në Komunën e Prishtinës, Gezim Sveçla, ka thënë për Telegrafin se projekti për transformimin e sheshit ka probleme ligjore.

“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! e si qytetar të Prishtinës, i gëzohemi çdo projekti që bëhet për qytetin. Natyrisht, janë disa komponente që projekti ose projektet duhet t’i kenë në mënyrë që ta kenë përkrahjen tonë. Fillimisht duhet të jetë në rregull në aspektin ligjor, duhet të ketë kosto reale dhe të përballueshme për buxhetin e qytetit dhe të jetë në shërbim të qytetarëve në atë kuptim që e lehtëson përditshmërinë e tyre”, ka thënë ai.

Sveçla deklaroi se te rasti i sheshit “Xhorxh Bush” duket se ka probleme në të gjitha këto komponente që i ka përmendur më lartë.

“Ka probleme ligjore në aspektin e pronësisë – një pjesë e pronës ku do të ndërtohet është pronë e Radio Kosovës dhe ajo pronë menaxhohet nga AKP-ja, pastaj ka edhe disa dyqane afër shkollës “Faik Konica” e që me vendime gjyqësore janë prona private. D.m.th Komuna po fillon punën në prona të huaja, pa pëlqim ose marrëveshje paraprake me titullarët e pronës. Këto paqartësi mund të rezultojnë me probleme që pastaj do të ndikojnë në mbarëvajtjen e projektit”, tha mes tjerash ai.

Po ashtu, ai tha se kanë edhe disa vërejtje tjera rreth kostos së projektit.

“Gjithashtu kemi vërejtjet tona te kostoja e projektit, 18.1 milionë euro për një hapësirë jo aq të madhe, mendojmë se është çmim shumë i lartë. Kryetari tha që projekti do të përfundojë për 240 ditë, që i bie se mbi 75 mijë euro është shpenzimi ditor që komuna do të paguaj për atë shesh”, nënvizoi ai.

Sveçla tha se mbështesin krijimin e hapësirave të reja për këmbësor por paralelisht me këtë duhet krijuar edhe rrugë të reja për komunikacionin.

“Dhe e treta, te benifiti i qytetarëve, ne mbështesim krijimin e hapësirave të reja për këmbësor por paralelisht me këtë duhet krijuar edhe rrugë të reja për komunikacionin. Nuk mund ta mohojmë faktin se mbyllja e rrugës Xhorxh Bush e ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve në Prishtinë. Ndoshta është dashur të shikohet mundësia që të ndërtohet nënkalim nga Katedralja deri te Grandi, kurse sheshi të ndërtohet mbi këtë nënkalim. Ose edhe një zgjidhje alternative, p.sh rruga të jetë e hapur për komunikacion deri në ora 18:00 e pastaj të mbyllet me laura elektrike ose pistona automatik dhe të shndërrohet në shesh. Kështu si ka vendosur komuna të procedoj, mendoj se është zgjedhje parciale që nuk premton shumë”, shtoi ai.

Lexo po ashtu Nis transformimi i sheshit “Xhorxh Bush” – projekti prej 18 milionë euro do të përfundojë brenda 240 ditëve

Si përfundim, Sveçla thotë se ky projekt nuk do të përfundojë gjatë mandatit të Përparim Ramës.

“Në përgjithësi, edhe ky projekt, si shumë të tjera deri më tani, nuk do të përfundoj gjatë mandatit të .Rama. Do të ketë ngecje e stagnim të punëve që rrjedhimisht do ta vështirsojnë jetën e banorëve të Prishtinës dhe do të ndikojnë negativisht në afarizmin e shumë bizneseve që ndodhën në atë pjesë”, theksoi ai.

Ndryshe, të hënën, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama deklaroi se ky projekt do të prekë disa zona kyçe të qytetit, përfshin edhe sheshin “Zahir Pajaziti” dhe një pjesë të Bibliotekës Kombëtare, duke ofruar një ndryshim të dukshëm për infrastrukturën dhe pamjen e qytetit.

“Po fillojmë punimet në një ndër projektet më të mëdha dhe më interesante për kryeqytetin, transformimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’. Tashmë kemi projektin ku edhe po e bëjmë realitet atë që kemi premtuar, për të transformuar tërë qendrën e kryeqytetit dhe për të krijuar hapësira më moderne dhe më të qasshme për qytetarët.”, tha Rama.

Projekti do të përfundojë pas 240 ditëve të punës, dhe kap shifrën prej 18.1 milionë eurosh.

Rama shpjegoi se materiali kryesor që do të përdoret është guri i trashë 80 mm, që do të ndihmojë gjithashtu në menaxhimin e ujërave të reshura.

“Paleta e materialeve është e gurëve të trashë 80 mm e jo më pak, janë porosi që ndihmojnë edhe aspektin e ujërave të reshurave”./Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version