Telegrafi

Nisin xhirimet e filmit të ri të “James Bond”, Dua Lipa pritet të këndojë kolonën zanore?

Kanë nisur xhirimet për filmin më të ri “James Bond 25”. Lokacioni i parë ku po zhvillohen xhirimet është Norvegjia.

Pamjet e para të shkrepura në prapaskenat e filmit, shfaqin një person të frikshëm duke vrapuar nëpër dëborë me maskë në fytyrë.

Ky person po mbante armë në dorë dhe duket se po ndiqte një vajzë të re, shkruan The Sun, transmeton Telegrafi.

Gjersa ende nuk është zbuluar titulli i filmit, besohet se Daniel Craig do të shënojë pjesëmarrjen e tij të fundit në “James Bond” pas 14 viteve në këtë rol.

Cary Joji Fukunaga është personi të cilit i është besuar regjia e këtij filmi.

“Unë nuk e di emrin e filmit, unë ende nuk kam pasur qasje në skenar”, ka thënë Ralph Fiennes.

Sipas burimeve thuhet se aktori Craig, është trajnuar deri në 12 orë në ditë për të arritur formën e duhur fizike për rolin.

“Të qenit Bond kërkon shumë energji dhe ai është i vendosur të sigurojë që ai është gati për të. Është një film aksion dhe ai dëshiron të japë më të mirën e tij”, ka thënë një burim i brendshëm për MailOnline.

Ndërkohë, duket se filmi i ri i James Bond, mund të ketë për herë të parë një shqiptare në mes, e ajo është artistja me renome botërore, Dua Lipa.

Besohet se Lipa do të jetë interpretuesja e kolonës zanore të filmit, ani pse këtë gjë produksioni po tenton ta mbajë të fshehtë.

Sipas shtypit italian, Dua ka marrë rrugën drejt Italisë për të xhiruar videon e re muzikore për filmin e “James Bond”.

Dua Lipa (Foto: Eamonn M. McCormack/Getty Images/Guliver)

Videoja muzikore “do xhirohet edhe nga fundi i gushtit deri në muajin shtator midis vendeve si Sassi di Matera (Terrazza Ulmo, shesh para kishës rokestrale të Madonna de Idris, Palazzo Lanfranchi, Piazza Duomo, Sexantio) dhe Marina di Pisticci (Riva dei Ginepri-Porto degli Argonauti)”, thuhet sipas raporteve lokale.

“Midis skenave të skenarit ekzistojnë ndjekje të ndryshme me makina luksoze midis kulmeve të shtëpive në Sassi e Matera, takime në kishat shpellore” dhe “falë rolit të [Bondit] të agjentit të fshehtë në shërbim të mbretëreshës do të ketë shmangien e një konflikt botëror”. /Telegrafi/

Dua Lipa (Foto: Alberto E. Rodriguez/Getty Images/Guliver)