Departamenti i Krimeve të Rënda, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës është duke trajtuar rastin e 23-vjeçares nga Drenasi e cila ka vdekur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e që familjarët e saj kanë deklaruar se ajo ka vdekur tri ditë pasi është vaksinuar kundër COVID-19.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokuroria Themelore ne Prishtine, konkretisht Departamenti i Krimeve te Renda, është duke e trajtuar këtë rast”, tha Ulaj për Telegrafin.
Një 23 vjeçare në Drenas ka ndërruar jetë, por familjarët e saj thonë se vdekja ndodhi tri ditë pasi ka marrë dozën e parë të vaksinës kundër coronavirusit.
Familjarët e 23-vjeçares, Zarife Imeri, në rrjetet sociale kanë shpërndarë lajmin për vdekjen e saj, teksa thonë se ajo ka humbur jetën 48 orë pasi është vaksinuar.
Telegrafi ka kontaktuar me Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas për të sqaruar informatat rreth arsyes se pse vajza nga Drenasi ka vdekur tri ditë pasi është vaksinuar dhe se a ka pasur paraprakisht ndonjë informatë shëndetësore për pacienten.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, Ismet Bogiqi, ka konfirmuar për Telegrafin se vajza është vaksinuar më datën 13 shtator, në procedurë të rregullt.
“Vajza është vaksinuar me procedurë të rregullt, më 13 shtator, ka marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer. Nuk ka pasur ndonjë problem gjatë vaksinimit, Mjekësia ligjore tash do të merret me rastin”, deklaroi ai.
Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, përmes një komunikate për media ka dhënë sqarime rreth vdekjes së 23 vjeçares në Drenas.
Klinika Emergjente thotë se pacientja është sjellë në klinikë, me humbje të vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar, ku më pas nuk ka arritur të mbijetonte, transmeton Telegrafi.
“Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar”, thuhet në komunikatë.
Tutje, sqarohet se “Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore. Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45”, thuhet në reagimin e QKUK-së.
Klinika Emergjente thekson se “Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale ( gjakderdhje në bark) , shok hemorragjik”.
Siç njofton Klinika Emergjente familjarët kanë refuzuar obduksionin. /Telegrafi/