Pas vrasjes së dyfishtë të së martës që ka ndodhur në Gjakovë, me ç’rast burri vret bashkëshorten dhe vajzën e tij 9 vjeçare, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar hetimet për policët që kanë qenë në detyrë ditën kur ka ndodhur ngjarja.
Arben Vrajolli nga IPK-ja ka konfirmuar për Telegrafin se hetimet lidhur më rastin në fjalë sapo kanë filluar.
“Më shumë informata nuk mund të japim”, ka shtuar Vrajolli.
Ndryshe, pesë orë para vrasjes viktima ishte ankuar në polici për kërcënimet që po i vinin nga ish burri, por brenda pesë orësh Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e njeriut i cili po e kërcënonte ish-gruan e tij.
Policia e Gjakovës ka konfirmuar se ishte e njoftuar për kërcënimin por nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e dorasit.
“Në ora 16:00 viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/