Telegrafi

Nisin hetimet për mënyrën e blerjes së bankës Credit Suisse nga rivali i saj UBS

Prokurori federal i Zvicrës ka nisur një hetim për të parë nëse blerja e bankës Credit Suisse nga rivali i saj UBS është e ligjshme.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, ka dyshime për shkelje nga zyrtarët, qeveritarët, rregullatorët dhe drejtuesit e dy bankave.

“Në dritën e ngjarjeve të fundit, zyra e prokurorit federal dëshiron të përmbushë në mënyrë proaktive misionin dhe përgjegjësinë e saj për të kontribuar në një qendër të pastër financiare zvicerane, dhe ka ngritur ekipe për të ndërmarrë veprime të menjëhershme në çdo situatë që bie në zonën e saj”, tha Prokurori me seli në Bernë.

Zyra që drejtohet nga Stefan Blättler, ka qenë në kontakt me autoritetet kombëtare dhe rajonale dhe ka lëshuar një sërë “urdhrash hetimor” për të mbledhur informacion. Zyra e Blättlerit pritet të intervistojë zyrtarët kryesorë në lidhje me marrjen, por nuk pranoi të komentojë më tej.

Pas shqetësimeve në rritje për të ardhmen e Credit Suisse, një nga 30 bankat në botë që konsiderohej shumë e madhe për të falimentuar, Qeveria e Zvicrës dhe Rregullatori Financiar (FINMA) detyruan blerjen e bankës nga UBS për mbi 3.2 miliardë euro, shumë nën vlerën e saj të tregut.

Ata ndërhynë pasi u bë e qartë se një kredi prej 50 miliardë eurove për Credit Suisse nga Banka Kombëtare e Zvicrës nuk kishte arritur të ndalonte rrëshqitjen dramatike të çmimit të aksioneve të saj. /Telegrafi/