Site icon Telegrafi

Nisi vazhdimi i debatit në komisionin kuvendar për marrjen e imunitetit të Veljanoskit

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nisi vazhdimi i debatit për marrjen e imunitetit të deputetit nga OBRM-PDUKM dhe ish kryetar i Kuvendit Trajko Veljanoski në kuadër të komisionit kuvendar për Çështje Mandatare dhe të Imunitetit.

Debati për kërkesën e marrjes së imunitetit të Veljanovskit, ngritur nga Reparti për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup nën dyshimin për përfshirje të tij në ngjarjet e 27 prillit, nisi që dje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gjatë diskutimeve të djeshme deputetët nga opozita dhe pushtet debatonin nëse është e arsyeshme të merret vendim që ish kreut të Kuvendit t’i merret imuniteti.

Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM theksoi se kjo është përndjekje politike dhe dobësim të grupit kuvendar, ndërsa kryetari i komisionit Pavle Bogoevski tha puna e Komisionit është të vlerësojë a është e arsyetuar masa e paraburgimit.

Sipas rregullores, komisioni është e obliguar të shqyrtojë kërkesën nga gjykata në afat prej dy ditësh dhe ta dorëzojë te kryetari i kuvendit. Pas marrjes së raportit nga komisionit, Kuvendi në afat prej 3 ditësh duhet të vendos në seancë plenare. Vendimi për marrjen e imunitetit sillet me shumicë të thjeshtë nga numri i përgjithshëm.

Përbërja aktuale e deputetëve deri tash me kërkesë nga gjykata ka marrë vendim për marrjen e imuniteteve të deputetëve Nikolla Gruevski, Ljupço Dimovski, Krsto Mukovski, Johan Traçulkovski, Zhaklina Peshevska, Ljuben Arnaudov dhe Sasho Vasilevski./Telegrafi/

Exit mobile version