Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i ka cilësuar zgjedhjet e 25 prillit një dështim.
Dëshpërimi dhe zhgënjimi i atyre që mbështesin opozitën është për shkak se ndryshimi i shumë pritur nuk erdhi dhe sipas Nishanit, “qeverisja e korruptuar” e Edi Ramës do të vijojë edhe për katër vite të tjera.
Ndërkaq, ish-presidenti i la gjithë përgjegjësinë e humbjes, kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës duke theksuar se ai nuk është përfaqësues i demokratëve të vërtetë.
“Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson pak nga pak. Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike radhazi vendosi të mbajë peng Shtëpinë e Lirisë, në interes të pushtetit të tij personal! Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh,” – u shpreh Nishani.
Me thirrjen që teksa Edi Rama “mban peng” Shqipërinë, Lulzim Basha të mos mbajë peng Partinë Demokratike, ish-presidenti Nishani solli në vëmendje se PD-ja nuk është pronë personale e asnjë njeriu.