Ka nisur zyrtarisht nata e parë e festivalit “Sunny Hill 2018”.
Dyert e festivalit u hapën gjatë ditës në orën 14:00, ku qytetarë të shumtë kanë pasur mundësinë të shijojnë kampingun dhe hapësirat tjera kreative.
Në skenën e ngritur në parkun “Gërmia” ka filluar edhe prezantimi i artistëve.
Grupi Asgjë sikur Dielli janë ngjitur në skenë, duke performuar para publikut disa nga hitet e tyre.
Në vazhdim do të vijojë edhe paraqitje e artistëve të tjerë si: Sytë, MTNJ, Kachinari, Genc Salihu, Gipsy Groove, Offchestra, Dren Abazi & Zig Zag Orchestra, Oda, Jericho dhe Grace Carter.
Me përfundimin e këtyre performancave, vend do të zërë edhe artisti shqiptar shumë i suksesshëm në Amerikë, Albert Stanaj, i cili do të këndojë për herë të parë para publikut prishtinas.
Dhe e fundit, ajo që të gjithë presin – artistja e madhe Dua Lipa, do të dalë në skenë rreth orës 12 pas mesnate.
Lipa do të këndojë dhe performojë para fansave hitet e saj më të fundit, ndërsa shquhet si ylli i mbrëmjes së sotme. /Telegrafi/