Telegrafi

Nis shqyrtimi i aplikacioneve për licencimin e rreth 100 laboratorëve privatë për testimet e COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj javë më parë ka nënshkruar udhëzimin administrativ për të licencuar laboratorët privatë për testimet për COVID-19.

Deri më tani sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë aplikuar rreth 100 Institucione Private Shëndetësore.

Zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti ka thënë për Telegrafin se bordi për licencimin e këtyre institucione ka nisur dje shqyrtimin e aplikacioneve.

“Kanë aplikuar rreth 100 IPSH për licencim të shërbimit të testimit për SARS-CoV-2. Shumica prej tyre kanë aplikuar për testime serologjike por ka institucione që kanë aplikuar edhe për testime molekulare (PCR). Bordi për licencim të IPSH ka filluar dje me shqyrtimin e aplikacioneve”, ka thënë Hoti.

Lexo po ashtu Të dhënat për 24 orët e fundit: 7 të vdekur nga COVID-19, 250 raste të reja dhe 126 të shëruar

Ai më tej ka thënë se të drejtë aplikimi për licencim të shërbimit të testimeve për SARS-CoV-2 kanë këto tri institucione: Ambulancat Specialistike Alergologjike dhe Imunologji Klinike, Laboratorët Biokim Hematologjik dhe Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare Mjekësore.

Ndryshe dje në vendin tonë janë konfirmuar 250 raste të reja me COVID-19, ku numri i të infektuarve ka arritur në 9,049.  Dje po ashtu kanë humbur jetën edhe 7 qytetarë, ndërkaq numri i të vdekurve deri më sot ka arritur në 256, kurse i të shëruarve ka shkuar në 4,989.

Raste aktive deri më tani në Kosovë janë 3,804.  /Telegrafi/