Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj javë më parë ka nënshkruar udhëzimin administrativ për të licencuar laboratorët privatë për testimet për COVID-19.
Deri më tani sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë aplikuar rreth 100 Institucione Private Shëndetësore.
Zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti ka thënë për Telegrafin se bordi për licencimin e këtyre institucione ka nisur dje shqyrtimin e aplikacioneve.
“Kanë aplikuar rreth 100 IPSH për licencim të shërbimit të testimit për SARS-CoV-2. Shumica prej tyre kanë aplikuar për testime serologjike por ka institucione që kanë aplikuar edhe për testime molekulare (PCR). Bordi për licencim të IPSH ka filluar dje me shqyrtimin e aplikacioneve”, ka thënë Hoti.
Ai më tej ka thënë se të drejtë aplikimi për licencim të shërbimit të testimeve për SARS-CoV-2 kanë këto tri institucione: Ambulancat Specialistike Alergologjike dhe Imunologji Klinike, Laboratorët Biokim Hematologjik dhe Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare Mjekësore.
Ndryshe dje në vendin tonë janë konfirmuar 250 raste të reja me COVID-19, ku numri i të infektuarve ka arritur në 9,049. Dje po ashtu kanë humbur jetën edhe 7 qytetarë, ndërkaq numri i të vdekurve deri më sot ka arritur në 256, kurse i të shëruarve ka shkuar në 4,989.
Raste aktive deri më tani në Kosovë janë 3,804. /Telegrafi/