Telegrafi

Kuvendi shkon në pauzë njëorëshe

E plotësuar: Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë njëorëshe.

Seanca e jashtëzakonshme për taksën, e thirrur nga 41 deputetë të opozitës, iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë e shoqëruar me debate.

Në këtë seancë nga partitë opozitare u tha se Kurti po bën gabime që po e heq taksën dhe se rrezikon që Kosova të pushtohet ekonomikisht e politikisht nga Serbia.

Ndërsa, Kurti ka mbrojtur idenë e tij të reciprocitetit duke thënë se taksa nuk i ka sjellë dobi shtetit të Kosovës.

Deputetët diskutojnë për taksën, pro dhe kundër

E plotësuar: Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë lidhur me njoftimin e kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se taksa ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet.

Haradinaj shtoi se vendosja e taksës ndaj Serbisë nuk ishte e rastësishme.

“Vendosja e taksës nuk ishte e rastësishme, ishte masë ndëshkimi ndaj Serbisë e cila nuk e kursente asnjë formë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Taksa ishte fillimisht goditje ekonomike ndaj Serbisë”, tha Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se Grupi parlamentar i PDK-së i ka dhënë nënshkrimet për këtë seancë, pasi që Kuvendi është institucioni më i lartë ku duhet të diskutohen çështje të tilla.

Hamza ka thënë se taksa ka ardhur si rezultat i veprimeve të Serbisë.

“Taksa është rezultat i veprimeve të Serbisë në raport me Kosovën. Serbia nuk ka kërkuar falje për viktimat e luftës, dhunës seksuale, të pagjeturve etj. Nuk ka zbatuar një pjesë të madhe të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFT-as, për energji, për diploma, hapjen e urës mbi lumin Ibër, pengimin e kthimit të qytetarëve në pronat e tyre… ndërkaq ka bërë luftë diplomatikë agresive për tërheqjen njohjeve, duke e penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL”, ka thënë Hamza, shkruan Telegrafi.

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se kanë ardhur në këtë seancë me një qëndrim të qartë për taksën 100 për qind, por sipas tij opozita kanë mendime kontraverse nga njëra-tjetra.

Rexhepi tha se për opozitën, ka një pyetje, për shkak se ata nuk e kanë të qartë dhe nuk po e dinë se çka po kërkojnë nga Qeveria.

Ndërkaq, deputeti Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se shtetësia e Kosovës dhe kufijtë e saj, rregullimi kushtetues, orientimi strategjik dhe gjeopolitik tejkalon përgjegjësit partiake dhe qeveritare dhe si rrjedhojë lidhur me gjithçka që mund të cenojë njërën nga këto dimensione konsensusi është i domosdoshëm.

Ai tha se partnerët  e koalicioni qeverisës, LDK dhe LVV në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2019  kanë deklaruar kundër tarifës 100 % dhe kanë proklamuar se kjo masë do të zëvendësohet me masa reciproke dhe adekuate.

Nis seanca e jashtëzakonshme për heqjen e taksës

E plotësuar: Me gjysmë ore vonesë ka nisur seanca e jashtëzakonshme në lidhje me paralajmërimin për heqjen e taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

Tashmë në seancë kanë hyrë të gjithë deputetët. Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka hapur punimet e kësaj seance ku në sallë janë të pranishëm 106 deputetë.

Kjo seancë është iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe të premten e kaluar, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, kishte deklaruar se nuk e përjashtojnë mundësinë që edhe me protesta ta kundërshtojë heqjen e taksës. /Telegrafi/