Telegrafi

Nis seanca e jashtëzakonshme për shpenzimet e rezervave shtetërore nga Qeveria (Video)

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me të vetëm pikë të rendit të ditës, e cila është diskutimi për vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare.

Në fillim të kësaj seance kanë munguar deputetët e partive në pushtet. Me këtë rast deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se nuk po e kupton mungesën e deputetëve të koalicionit qeverisës.

“Partitë në pushtet nuk janë prezent, nuk po di çfarë ngjarje të rëndësishme paska sot që ata po mungojnë. Mirëpo sa herë që flitet për mjetet financiare, ky pushtet s’ka interes as të dëgjojë”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka thënë se kanë thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme, pasi që nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria përmes metodave tjera institucionale për këtë çështje.

Selmanaj tutje ka përmendur edhe ndarjen e 500 mijë eurove për shënimin e përvjetorit të 11-të të Pavarësisë së Kosovës, duke pyetur se ku kanë shkuar ato para.

Ai ka thënë se kjo qeveri ia ka ndërruar edhe funksionin lapsit.

“Në vend që me shkrua me laps këta vjedhin me laps”, ka thënë Selmanaj. /Telegrafi/