Ka filluar ndalimi i hyrjeve të qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës së Prishtinës.
Ky kufizim është i përcaktuar nga ora 19:00 deri në nesër në orën 05:00.
Në hyrje të kryeqytetit në Veternik, nga Policia po ndalohen hyrjet në Prishtinë.
Veturat që po ndalohen në këtë pikë, po tregojnë lejet e qarkullimit, në bazë së cilës arsyetohet dhe lejohet qarkullimi në këtë kohë.
Këto kufizime janë përcaktuar sipas numrit të të infektuarve në shtatë ditët e fundit në 100.000 banorë dhe masat janë të marra sipas kategorizimeve me zona.
Në komunat me rrezik të lartë të përhapjes së infeksionit, ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive-banesave të tyre pas orës 19:00 e deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore.
Nga kjo masë përjashtohet personeli shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme. Po ashtu ndalohet hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 19:00 deri në orën 05:00. Veç tjerash, nga kjo orë do të mbyllet edhe veprimtaria e gastronomisë.
Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 9 komuna si:
Komuna e Prishtinës, Fushë -Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Shtimes, Podujevës, Pejës dhe Ferizaj.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi sonte në orën 18:00. Masat, sipas këtij vendimi të qeverisë do të vlerësohen pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe si i tillë vlen deri në një vendim tjetër.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë konfirmuar 963 raste të reja me COVID-19, ku prej tyre 347 janë nga Prishtina.