Site icon Telegrafi

Nis Konferenca e Albanologjisë kushtuar “Vitit të Skënderbeut”

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka nis të hënën sesionin e dytë të saj, që do të vazhdojë deri më 26 tetor e për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit.

Tomi Frashëri, kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, tha se edhe ky sesion do të ketë një numër të konsiderueshëm studiuesish.

“Sot do të nisim me profesorin Dhori Qiriazin, që vjen nga Athina. Po ashtu, gjatë këtij sesioni do të kemi dhe figura të njohura, si Aleksandër Meksin, apo Luan Malltezin. Më datat 1-3 nëntor do të kemi seksion maratonë me ligjërata të shkurtra. Do jenë rreth 40 studiues me këto kumtesa”, tha Frashëri

Dhori Qiriazi rrëfeu zbulimin e tij mbi një shkrim të bërë nga Thimi Mitko, një dorëshkrim prej 15 faqesh që flet për një polemikë të tij me historianin grek Konstandinos Paparigopulos.

“Ky i fundit konstaton apo korrigjon që, sipas tij, Skënderbeu nuk është aspak shqiptar, por me origjinë sllave. Mitko sapo lexon këtë shkrim të Paparigopulosit shkruan një letër të gjatë ku i ndërvihet me dokumente dhe në mënyrë emocionale thekson se Skënderbeu nuk është vetëm gjak shqiptari, por është frymëzim për popullin shqiptar”, thotë ai. /ata/

Exit mobile version