Me variantin e plotë të një prej filmave ikonikë të kinematografisë botërore – “Na ishte njëherë Amerika” (Once upon a time in America”) me regji nga Sergio Leones – nis sot në mbrëmje edicioni i 16-të i Tirana International Film Festival.
Në edicionin e sivjetshëm janë përzgjedhur për të hyrë në garë në seksione të ndryshme, 128 filma, ndërsa mbi 100 të tjerë do të shfaqen në kategoritë speciale. Filma homazh apo kandidatë për Oscar do të vijnë përgjatë ditëve të festivalit.
“Tirana International Film Festival është eventi më i rëndësishëm kinematografik që zhvillohet në Shqipëri, jo vetëm për nga vjetërsia dhe eksperienca, por edhe për numrin e madh të aplikimeve, aftësinë selektive të filmave, programit të pasur, zbulimeve interesante dhe premierave të filmave më të rëndësishëm në tregun kinematografik sot në botë. Për këto arsye, Tirana International Film Festival, pas aplikimit u kualifikua si festival nga Academy of Art and Sciences USA, me të drejtën që fituesi i Best Short Live Action/Animation të renditet në listën nga ku do të dalin fituesit e Oscarit për këto kategori. Ky vlerësim e rendit TIFF-in midis 94 festivaleve më prestigjioze të planetit, si: Cannes, Berlin, Venice, Locarno, Sundance, Tribeca etj., duke u dhënë kështu një shans të madh filmave të prodhuar në Shqipëri, Kosovë, rajon e jo vetëm, të konkurrojnë për këtë çmim të madh”, thonë organizatorët e këtij aktiviteti.
Sipas tyre, ishin këto arsye që tërhoqën vëmendjen e regjisorëve dhe producentëve, duke e çuar numrin e aplikimeve deri në 3700 dhe duke e bërë edhe më të vështirë përzgjedhjen e tyre.
Mësohet se Komiteti Ndërkombëtar i Seleksionimit të aplikimeve ka sugjeruar 128 filma në garë në kategoritë: Feature, EYE on TIFF, Short Live Action, Animation, Student dhe Video Art & Experimental, Documentary, Balkan dhe In Albanian competition. Në garën e filmit artistik me metrazh të gjatë do të shfaqet edhe “Delegacioni”, filmi shqiptar që u shpall më i miri në festivalin e Varshavës.
Një pjesë e rëndësishme e këtij edicioni të 16-të është edhe programi special, gjatë të cilit do të shfaqen 127 filma. Ka mes tyre shfaqje speciale (Special Screenings), premiera që po qarkullojnë pikërisht tani në kinematë e Europës e të botës si: “Don’t Worry, He Won’t Get Far on Foot” nga Gus Van Sant, “Suspiria” nga Luca Guadagnino, “The House That Jack Built” nga Lars von Trier.
Ekskluzivisht, në TIFF do të shfaqen po ashtu edhe 10 filmat e shkurtër të nominuar në Oscar 2018. FOCUS i TIFF-it këtë vit do të jetë përkujtimi i 50-vjetorit të ngjarjeve të vitit 1968, që ndryshuan botën, por jo ëndrrën për një botë më të mirë e më të drejtë. Prandaj dhe “FOR ANOTHER DREAM”, ky program me ligjërata dhe filma të asaj epoke, do të vijnë për publikun e interesuar në KINO bar çdo mbrëmje nga ora 19:00 me një program të pasur të kuruar nga Federico Rossin, Arbër Zaimi dhe Edon Qesari.
Në vazhdim të nismës së vitit të shkuar, TIFF-i do të ofrojë KIDS, një program ekskluziv për fëmijët, çdo ditë në Teatrin e Kukullave, nga ora 10:30, si një investim afatgjatë për të rritur e edukuar audiencat e ardhshme të kinemasë me filmin artistik nëpërmjet projekteve të fituara në Creative Europe, për shpërndarjen dhe promovimin e filmave europianë. Seksioni “Panorama” do të ketë programe të tilla si: Generations, New world, Divergent minds, Parade, Reflekting Albania dhe DOC+, që përfshijnë në kinema jo vetëm cilësinë artistike, por edhe temat e mprehta sociale e politike. TIFF 2018 do të zhvillohet në Kinema Millenium, Teatri Kombëtar Eksperimental, Teatri i Kukullave dhe KINO bar.