Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka uruar djalin e axhës së tij, Bashkim Jasharin i cili është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës
Përmes një postimi në Facebook, Bekim Jashari e ka uruar nipin e Komandantit Legjendar Adem Jashari për pozitën.
“Gjenerali nga familja jonë, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bashkim Rifat Jashari, sot është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë të ndërtuar mbi rrugën e trasuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, thuhet në urimin e tij.
Ai tha se “Bashkimi ashtu si në luftë krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdoj rrugën e tyre, duke kontribuar në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtar”.
“Ah sikur të ishte gjallë Komandanti Legjendar Adem Jashari, të të shihte duke udhëhequr ushtrinë e shtetit tonë, për të cilin luftoj deri në rënien heroike të tij, bashkë me familjen dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Urime Komandant Bashkim Jashari”, thuhet në postimin e tij.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.
Pas dorëheqjes së Gjenerallejntënant Rrahman Rama nga pozita e Komandantit të FSK-së, tashmë është emëruar komandanti i ri.
“Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Presidentes.
Po ashtu, “para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/