Telegrafi

​Nipi i Jakup Krasniqit: Familja e xhaxhait tim s’ka pasur ndonjë përfitim përpos vuajtjeve

Dardan Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, ka thënë se familja Krasniqi nuk ka pasur ndonjë benefit të veçantë nga veprimtaria e tij përpos vuajtjeve, të cilat i cilësoi si të shumta.

Krasniqi ka thënë se familja priti që me përfundimin e luftës të mbaronte faza e Krasniqit në procese gjyqësore, por të njëjtat përpos që u rikthyen, patën edhe protagonist të njëjtë, vetë Krasniqin.

“Ai është xhaxhai im, mirëpo krejt veprimtaria e Jakup Krasniqit tregon që familja e tij nuk ka përfituar ose nuk ka pasur ndonjë benefit të veçantë, përveç vuajtjeve që i ka pasur më të shumta. Përndryshe, krejt kauza e qëllimi jetësor ka qenë në shërbim të vendit, në shërbim të familjeve pa dallim dhe natyrisht që edhe ne si familjar e kemi pjesën e emocionit, edhe atë të reagimit. Ajo sot çka ndodhi na emocionoi, na bëri të rikthehemi në kohë. Në një kohë ku edhe pse ishte shumë e vrazhdët, para 30 vitesh, i njëjti u përball me gjyqet e vrazhda Serbisë asokohe ku mbajti mbi 10 vite burg, u torturua edhe pati shumë dhunë ndaj tij edhe ndaj të tjerëve. Edhe pas lirimit nga burgu, menduam dhe besuam të gjithë që me përfundimin e luftës në vitin 98-99, këto do të ishin të shkuara dhe do të shikonim përpara, mirëpo ja… Fati deshi edhe për të edhe për vendin që pas gjithë këtyre viteve të pasluftës t’i rikthehemi fatit të gjykimeve me protagonist të njëjtë, me Jakup Krasniqin”, ka deklaruar ai.

Në fjalën e tij para trupit gjykues, ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka mohuar akuzat e Prokurorisë Speciale drejtuar ndaj tij.

Krasniqi ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në asnjë vrasje e në asnjë formë tjetër të presionit ndaj askujt.

“Çdo njeri i sinqertë, le të ju thotë se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, asnjë burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë. Intelekti im intelektual e njerëzor më ka mundësuar ta kam të qartë se cilat mjete duhet të përdoren për realizimin e çlirimit kombëtar në luftë kundër atyre që përpiluan gjenocid ndaj nesh”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se nuk pajtohet fare me akuzat që Prokuroria i ka bërë ndaj tij. Për vrasjet e torturat, ai është shprehur se i ka kryer shteti i Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe personalisht ndaj tij. /Dukagjini/