Telegrafi

Niko Peleshi në Ministerialin e NATO-s: Shqipëria mbështet integritetin territorial të Ukrainës

Në ditën e dytë të Ministerialit të Mbrojtjes në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare të NATO-s u takuan me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme Josep Borell dhe me ministrat e Mbrojtjes të Suedisë, Finlandës, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Gjatë fjalës së tij në takim, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi solli në vëmendje se Shqipëria vazhdimisht e ka parë bashkëpunimin NATO-BE si një nxitës kryesor në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë dhe më gjerë.

“Ky bashkëpunim bëhet edhe më vital ndërsa përpiqemi të parandalojmë krizën aktuale në Ukrainë, e cila mund të ketë implikime për të gjithë kontinentin evropian”, tha ai.

Më tej, Peleshi theksoi rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për të qetësuar situatën atje e cila mund të përshkallëzohet edhe më tej.

Ministri Peleshi përsëriti qëndrimin e Shqipërisë rreth krizën në Ukrainë, duke ofruar mbështetjen për popullin, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e koordinimit dhe unifikimit të qëndrimeve dhe veprimeve ndërmjet NATO-BE dhe partnerëve të tjerë në këtë çështje.

Në takimin e ministrave të Aleancës me ministrat e Mbrojtjes të Gjeorgjisë dhe Ukrainës u diskutua rreth zbatimit të reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes nga të dy vendet, drejt rrugës së anëtarësimit në NATO.

Peleshi, vlerësoi reformat, bashkëpunimin dhe kontributin e këtyre dy vendeve që aspirojnë anëtarësimin në NATO. /Telegrafi/