Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë i kësaj partie, Bernard Nikaj në një intervistë për “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi, ka folur për Qeverinë Kurti, për rolin e PDK-së në temat e mëdha në vend, politikën e jashtme të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe përfaqësimin diplomatik të vendit.
Sipas Nikajt, Qeveria Kurti është ende duke u përgatitur për të nisur qeverisjen, pasi siç tha ai ka pasur plogështi në marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin.
“Nëse shohim qeverisjen, ne ende jemi duke pritur që kjo qeverisje të filloj, krijohet një bindje e përgjithshme që Qeveria ende është duke u përgatitur të filloj sepse realisht nuk kemi parë asgjë nga qeverisja dhe kemi parë një plogështi në të tej përsëritur në marrjen e vendimeve të rëndësishme”, tha Nikaj.
Sekretari për marrëdhënie me jashtë i PDK-së tha se vendimet e kësaj Qeverie nuk kanë të bëjnë me atë që është proklamuar.
“Nëse ju mendoni se ka një vendim ose një veprim rreth të cilit mund të diskutojmë, atëherë unë jam i gatshëm të diskutojmë, por realisht ende jemi në pritje të fillimit të një qeverisje. Veprimet që i kemi parë janë sporadike, janë margjinale që nuk kanë të bëjnë me një qeverisje që ka proklamuar një transformim shoqëror, politik, arsiomor e kulturor ndër vite. Ende jemi duke pritur që qeverisja të fillojë”, tha ai.
Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje e ka shumicën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Nikaj tha se nuk janë marrë vendime të rëndësishme e as nuk janë aprovuar ligje gjatë gjashtë muajve qeverisje.
“Megjithëse është një mazhorancë e paparë më herët, më pak se 10 ligje janë kaluar në Kuvendin e Kosovës, Kuvendi është mbledhur më shpesh për të ngarkuar e për të shkarkuar nëpër borde të ndryshme, sesa për të diskutuar a aprovuar ligje me rëndësi”, tha Nikaj për Telegrafin.
Ai shtoi se, “Ne nuk po shohim hapa që e përmirësojnë këtë gjendje tutje, Qeverisja nuk është për të gjetur fajtor, por për të gjetur zgjidhje”.
“Kjo qeverisje është e interesuar të gjej fajtor, e jo t’i ofrojë popullit zgjidhje”, thekson Nikaj.
Tutje, ai shton se “kërkojnë nga Qeveria që t’i jap drejtim qeverisjes së vendit në të ardhmen. Çdo dështim për t’i dhënë qeverisjes drejtim, është dështim i kësaj Qeverie, pa marrë parasysh çka ka ndodh përpara”.
Ndër të tjera, Nikaj gjatë intervistës ka folur edhe për politikën e jashtme dhe procesin e emërimit të ambasadorëve si dhe për procesin e vaksinimit dhe menaxhimin me pandeminë në Kosovë. /Telegrafi/