Ina Arapi
1. Historiku i një dorëshkrimi
Të dhënat që po sjellim këtu lidhen me një dorëshkrim, të cilin e kam parë për herë të parë gjatë vizitës sime në Bibliotekën Qendrore të Universitetit të Jashit (Rumani) në fund të majit të vitit 2013. Gjatë kësaj vizite mësova se në katalogun e koleksioneve speciale gjendet një dorëshkrim që përmban lutje të kopjuara në gjuhën greke prej ieromonahut Nifon nga Shqipëria midis viteve 1503-1554. Duke pasur parasysh se dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe është një frazë e vitit 1462, e ashtuquajtura Formulë e pagëzimit, dhe se libri i parë në shqip që njohim deri sot vjen nga viti 1555, kuptohet që një dorëshkrim, i cili i përket periudhës para librit të parë në gjuhën shqipe paraqet një interes të veçantë edhe pse i shkruar në gjuhën greke.
Për këtë dorëshkrim janë bërë disa studimi, por më i rëndësishmi është ai i priftit prof. I Zugrav në vitin 1955. Zugravi na informon që Biblioteka e Universitetit të Jashit ka një numër të rëndësishëm dorëshkrimesh, prej të cilave disa janë në gjuhën greke dhe vijnë nga Biblioteka e Manastirit të Shën Savës, ku ka ekzistuar dikur shkolla greke. Në këtë fond të dorëshkrimeve greke bëjnë pjesë edhe disa dorëshkrime me përmbajtje religjioze-kishtare. Njëri prej tyre është ai, i cili prezantohet në këtë mënyrë në numrin 199 të katalogut të ekspozitës të organizuar nga kjo Bibliotekë në vitin 1885 me rastin e 50-vjetorit të saj: “Dorëshkrim grek i shkruar në Shqipëri prej ieromonakut Nifon. Fleta e fundit me të kuqe: Çka do të thotë dhurata Jote, punë e ireomonahut Nifon. Në vitin 7011-1503. Përmban lutje, 80 faqe, dimensionet 16×11).
Mirëpo, në momentin kur Zugravi fillon punën për leximin dhe përshkrimin e dorëshkrimit, kjo faqe e fundit me shënimin e rëndësishëm për autorin, datën dhe vendin e hartimit të dorëshkrimit mungon. Me sa duket, thotë ai, për shkak të pakujdesisë ka humbur fleta e fundit, që përfshinte shënimin e rëndësishëm të dhënë më lart me datën dhe emrin e kopjuesit. Prandaj, ai përshkruan 79 faqet që kanë mbetur duke theksuar se këto nuk përmbajnë vetëm lutje, siç përshkruhet pasaktësisht në katalog, por edhe tekste të mirëfillta kishtare.
Sipas Zugravit (1955: 286), ekzistenca e një dorëshkrimi nga Shqipëria në këto anë mund të shpjegohet me praninë e murgjërve grekë në shkollën greke të Manastirit të Shën Savës në Jash. Ai përmend p. sh. Matein, kaligraf epirot, i cili rreth vitin 1599 ishte egumen (drejtues) i këtij Manastiri, por nuk tregon nga e ka marrë këtë të dhënë. Pas shqyrtimit të lutjeve që thuhen gjatë proskomidisë, Zugrav arrin në përfundimin se “Këto variante i përkasin një teksti më të vjetër, i cili ka shërbyer si model, nga koha përpara uniformizimit dhe sistematizimit të vendosur në Diataksën e patriarkut Filotei të Konstandinopojës (gjysma e dytë e shek. XIV)].
Gjatë vizitës sime të dytë në Bibliotekën Qendrore të Universitetit të të Jashit në nëntor të vitit 2015 munda ta shoh këtë dorëshkrim. Dorëshkrimi ka përmasat 15, 5 x 10, 5 centimetra dhe është i ruajtur në gjendje shumë të mirë, i shkruar me bojë të zezë e të kuqe dhe i pajisur me disa zbukurime. Informacionet që m’u dhanë rreth prejardhjes së dorëshkrimit qenë të pakta. Fondet e Bibliotekës vijnë nga burime të ndryshme dhe të shumta. Janë bërë gjatë shekullit të shkuar dy inventare. Dorëshkrimi në stadin aktual paraqitet i lidhur dhe i numëruar, faqja e fundit përmban numrin 79 verso, por gjatë numërimit tim doli që dorëshkrimi ka në fakt 80 faqe të plota. Ndoshta fleta e humbur është gjetur më vonë dhe është lidhur. Sidoqoftë, dorëshkrimi duhet rilexuar, çka nuk është e lehtë, sepse nevojitet specialisti i duhur të cilit nuk kam arritur ende t’i bie në gjurmë.
Murgu gjuhëtar Kozma Petriti nga Mali i Shenjtë Athos, i cili me ndërmjetësinë e kolegut dhe mikut Doris Kyriazis e lexoi këtë faqe, arriti gjithashtu në përfundimin se bëhet fjalë për një pjesë nga Akoluthia. Murgu Petriti sqaron se nuk është specialist për datime, megjithatë ai mendon se teksti i përket shek. XIV. Bile për tekstin sipër mendon se duhet të jetë më i hershëm ose është shkruar nga një dorë tjetër me shkrim shumë më të vështirë.
2. Autori i dorëshkrimit – Nifoni i II-të, patriarku i Konstandinopojës dhe i pari Shenjt në tokat rumune
Merita për identifikimin e shpejtë të kopjuesit të dorëshkrimit i takon koleges dr. C. Vatasescu nga Bukureshti. Ieromonahu Nifon është Shenjti Nifon, patriark i Konstandinopojës, reformator i Kishës Rumune dhe i pari shenjt i kanonizuar në tokën rumune. Jeta e jashtëzakonshme e shenjtit të ardhshëm bëri që vetëm pak vjet pas vdekjes të shkruhet biografia e parë për të. I pari biograf i tij është Gavriil Protul ose protosul, murg dhe dijetar grek i shek. XV-XVI, nxënës i Nifonit me të cilin jetoi disa kohë edhe në Vllahi. Gavrili e shkroi biografinë e tij në greqisht, por më vonë ajo u përkthye edhe në sllavisht e rumanisht.
Nga ky jetëshkrim mësojmë se i jati i Nifonit, emri i pagëzimit të të cilit ishte Nikolaus, quhej Manuil dhe ishte arratisur nga Dalmacia në Peloponez për t’i shpëtuar dënimit me vdekje. Këtu ai u martua me vajzën e një çifligari me të cilën pati dy djem dhe një vajzë.
Nikolau ishte një nxënës shumë i zoti. Për një kohë të shkurtër qëndroi te prifti murg Josif. Nën ndikimin e tij u bë murg dhe mori emrin Nifon. Pas kësaj vajti në qytetin e Nartës te prifti Zaharia. Është fjala për qytetin e Artës pranë detit Jon, një qytet i banuar edhe sot nga shqiptarë që vetëquhen çamë. Zaharia kishte qenë në manastirin Vatopedi të Malit Athos dhe dinte të shkruante e të lexonte greqisht dhe sllavisht. Nifoni i kërkoi që ta bënte prift, por ai e bëri murg të përkryer, siç na thotë Gavriil Protu. Por pas një kohe të shkurtër, të dy donin të shkonin në Vendin e Askolonit. Protu na njofton se me ta u bashkuan edhe shumë të tjerë duke u nisur nga Iustiniania, disa me rrugë tokësore, ndërsa të tjerët nëpër det me anije dhe arritën në një qytet të madh me emrin Dracea, që ishte në Vendin e Askolonit. Kuptohet që është fjala për qytetin e Durrësit.
Që andej u ngjitën në qytetin e Krujës, gjashtë milje larg nga Durrësi dhe vajtën te Gjergji, udhëheqësi i Shqipërisë, për të cilin thotë se e thërrisnin Skenderbeg. Protu thotë se ai i priti me gëzim dhe dashuri, pasi kishte dëgjuar për jetën e tyre të mëparshme. Ky paragraf nga jetëshkrimi i Nifonit, patriarkut të ardhëm të Konstandinopojës, na jep një imazh të popullsisë që jetonte në oborrin e Gjergj Kastriotit. Njerëz të ardhur nga të gjitha anët, shpesh të ikur nga shtëpitë e tyre, një masë ndërkombëtare, midis së cilës edhe dijetarë të klasit të parë si prifti Zaharia dhe dhjaku Nifon. Pra, një oborr kozmopolit nën mbrojtjen e një princi të fuqishëm, liberal dhe tolerant.
Kryepishkopi i Krujës e shuguroi Nifonin prift. Midis kryepishkopit të Krujës dhe Nifonit kishte njëfarë lidhje, sepse si mitropolitin e Artës që e bëri dhjak Nifonin, ashtu edhe kyepishkopin e Krujës i kishte shuguruar i njëjti patriark. Ky ishte Nikolau i madh, patriark i Iustinianës së parë dhe i gjithë bullgarëve, serbëve e i Shqipërisë e vendeve të tjera, siç thotë Protul.
Por, pas ca kohe, vazhdon Protul, u ngritën turqit nga lindja dhe pushtuan të gjitha vendet drejt perëndimit deri në detin Jon dhe çdo gjë që gjenin e prisnin, grabisnin dhe ndiznin. Në pranverë të vitit 1466, sulltan Muhameti II, pushtuesi i Konstantinopojës, sulmoi Shqipërinë duke shkatërruar gjithçka. Krujën e rrethoi pa mundur ta marrë, por arriti ta shtrijë pushtimin deri në breg të detit Adriatik. Në këto kushte Nifoni dhe ati i tij shpirtëror Zaharia largohen nga Kruja dhe shkojnë në Ohër.
Duhet thënë se Shën Nifoni është një figurë e njohur për historiografinë shqiptare. Kjo për faktin se në përgjithësi mendohet që i jati duhet të ketë qenë shqiptar. I pari që na e njofton këtë është F. Konica në shkrimin me titull “Një patrik shqiptar në shek. XV” (rev. Bota shqiptare, 1943) duke iu referuar një serie dokumentesh mbi Perandorinë Bizantine të botuara prej bizantologut gjerman B. G. Niebuhr. Këtij autori i referohet edhe Wikipedia ku Nifoni II konsiderohet gjithashtu shqiptar nga i ati.
Në dhjetëvjeçarët e fundit për Nifonin II kanë shkruar edhe M. Zeqo e A. Plasari, por ekzistenca e këtij dorëshkrimi ka qenë e panjohur. Duket se edhe prof. Zugravi në vitin e largët 1955 nuk e kuptoi se iromonahu Nifon nga Kruja ishte Patriku i madh, Reformatori dhe Shenjtori i parë i Kishës Rumune, i cili përkujtohet më 11 gusht.
Në jetëshkrimin e Protut nuk përmendet data e lindjes së Nifonit, por nëpër shkrime të tjera jepen vitet 1434-1440. Pra, kur është larguar përgjithmonë nga Kruja ai ka qenë në një moshë të pjekur, 26-32 vjeç. Është shumë e mundshme që gjatë kësaj periudhe relativisht të qetë Nifoni, për të cilin Protu thotë se shkruante shumë bukur, të jetë marrë me kopjimin e dorëshkrimeve që ka gjetur në oborrin e Skënderbeut. Arsyeja pse ky dorëshkrim, të cilin Shenjti Nifon e ka pasur gjithmonë me vete, gjendet sot në Jash lidhet ndoshta me rrethanat dramatike në të cilat ai u detyrua të largohej nga Vllahia. Sidoqoftë, ky dorëshkrim është për ne sot një dëshmi e jetës së pasur shpirtërore që zotëronte në qytetin e Krujës dhe në oborrin e princit Gjergj Kastrioti. /Milosao/