Aktorja e famshme, Nicole Kidman, ka thënë se martesa me Tom Cruise në vitet e nëntëdhjeta, e ka mbrojtur nga keqtrajtimet seksuale në fillet e karrierës së saj.
Bukuroshja nga Australia u martua me aktorin hollivudian në vitin 1990, pasi u njoftuan gjatë xhirimeve të filmit “Days Of Thunder”.
“U martova shumë e re, por definitivisht nuk ishte fuqi për mua, por mbrojtje. U martova për dashuri, ndërsa duke qenë e martuar për një njeri të fuqishëm, më ka mbrojtur nga keqtrajtimi seksual”, ka rrëfyer Kidman.
Çifti i famshëm u shkurorëzua në vitin 2001. Ata adoptuan dy fëmijë gjatë lidhjes së tyre, Isabellan (e cila tash është 25 vjeçare) dhe Connorin (i cili tash është 23 vjeçar).
Nicole ka thënë se ndarja nga Cruise e ka mësuar si të rritet.
“Kam punuar, por gjithmonë kam qenë në njëfarë mënyrë si e mbuluar. Prandaj, kur dola nga mbështjellësi në moshë 32 vjeçare, e kisha të domosdoshme të rritesha”, ka treguar aktorja.
Kur është fjala për lëvizjen “Me Too”, Kidman thotë se edhe vet është përballur me shqetësime seksuale gjatë karrierës, mirëpo nuk ka dashur të japë detaje të tjera.
Pas ndarjes nga Cruise, 51-vjeçarja në vitin 2006 u martua me muzikantin Keith Urban, me të cilin i ka dy vajza, dhjetëvjeçaren Sunday dhe shtatëvjeçaren Faith. /Telegrafi/