Telegrafi

Nico Williams ‘konfirmon’ edhe një herë tjetër se nuk do t’i bashkohet Barcelonës

Sezoni i ri për Athletic Bilbaon do të fillojë pas tre ditësh, por vëmendja kryesore padyshim i takon yllit të tyre Nico Williams.

Përkundër thashethemeve të mëdha për të ardhmen e tij, Bilbao po vazhdon të shfaq besimin se ai do të luajë për ta edhe këtë sezon.

Pas një videoje të publikuar aty ku Williams thotë se po pret me padurim sezonin e ri, tashmë ylli spanjoll me gjestin e fundit nga klubi duket se definitivisht nuk do të transferohet tek Barcelona.

Për ta bërë sa më të qartë këtë, Athletic Bilbao i ka dhuruar Williamsit fanellën me numrin 10, numër të cilin e ka mbajtur Iker Muniain.

22-vjeçari ende nuk është paraqitur në ndonjërën prej ndeshjeve miqësore për Bilbaon, por ata do të luajnë ndeshjen e parë të ligës ditën e enjte ndaj Getafes.

Do të ishte një befasi e madhe në rast se Williams nuk paraqitet fare në këtë takim, ani pse të luajë nga fillimi duket e vështirë./Telegrafi/