Telegrafi

Ngushllimi i FSHF-së pas vdekjes së Vokrrit: Jemi të tronditur me lajmin e marrë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka reaguar pas vdekjes së Fadil Vokrrit.

Legjenda e futbollit kosovar ndërroi jetë pas një komplikimi shëndetësorë.

FSHF ka dërguar një telegram ngushëllimi ku thuhet se janë tronditur me lajmin e marrë.

“Federata Shqiptare e Futbollit ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ndarja e parakohshme nga jeta e mikut, dhe kolegut të saj, kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Fadil Vokrri”.

Lexo po ashtu Vokrri u dërgua në QKUK pa shenja jete

“Në emër të Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka, sekretarit të përgjithshëm z.Ilir Shulku, si edhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, komuniteti i Futbollit në Shqipëri përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, spordashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohshme nga jeta të zotit Vokrri, që vuri gjithcka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të Futbollit në Kosovë”.

Lexo po ashtu Ndërron jetë kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri

“Kontributi i Presidentit Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithë përfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe Futbollit të saj, në Evropë dhe në Botë”.

“FSHF është e bindur që fizionomia dhe idetë e tij për progresin e Futbollit të Kosovës, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar do të ndiqen dhe elaborohen ndër vite nga brezat dhe kolegët e FFK-së”.

“Ndarja e tij e parakohshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe për futbollin kosovar, por edhe për të gjitha trevat shqipfolëse anembanë botës. Lamtumirë miku ynë Fadil. Shpirti yt u prehtë në paqe”, thuhet në telegram ngushëllimin e FSHF-së. /Telegrafi/