Shumë gjëra nuk kanë shkuar në favor të Frederic Veselit para përfshirjes së tij në ekipin final të Shqipërisë për “Euro 2016”.
Kjo ka bërë që përfshirja e 23-vjeçarit në ekipin final prej 23 lojtarëve në të cilët llogarit Gianni de Biasi për Evropianin në Francë, të vlerësohej edhe befasi nga një pjesë e madhe e opinionit.
Përzgjedhësi Gianni de Biasi kishte deklaruar se për evropian do të bazohej në lojtarët që kanë luajtur në kualifikime. Veseli nuk ka luajtur asnjë ndeshje kualifikuese dhe fjalët e mëhershme të teknikut italian nuk i shkonin në favor. Debutoi në miqësoren ndaj Kosovës, që u luajt më 13 nëntor të vitit të kaluar. Miqësorja ishte festive për të festuar kualifikimin e Shqipërisë në “Euro 2016”. Veseli më pas ka luajtur vetëm edhe në miqësoret ndaj Gjeorgjisë, më 16 nëntor dhe atë ndaj Luksemburgut më 29 mars të këtij viti.
De Biasi kishte thënë se do të bëjë përjashtim duke marrë ndonjë lojtar që nuk ka luajtur në përfaqësuese, vetëm nëse shfaqet ndonjë lojtar që realizon çdo fundjavë. Veseli është mbrojtës i qendrës dhe nuk ka realizuar asnjë gol gjatë edicionit 2015-16.
Luajti për Luganon që mezi i shpëtoi rënies nga Superliga zvicerane, por kishte minuta më shumë se disa tjerë lojtarë të kombëtares, teksa forma e tij fizike mund ta ketë bindur De Biasin.
Por, pse e ka marrë e din vetëm De Biasi. /Telegrafi/KohaDitore/