Lista Serbe ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës në 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq tha sot se Prishtina zyrtare dëshiron përmes masave të reja ‘të dëbojë popullin serb nga Kosova”.
“Kjo është shpallje jozyrtare e luftës ndaj serbëve të Kosovës. Nëse kjo çmenduri nuk ndalet, populli serb nuk do të ketë shanse për të mbijetuar në Kosovë, dhe ne kemi marrë fund. Për këtë arsye kërkojmë reagim urgjent dhe ndihmë nga Beogradi,” tha Rakiq në një deklaratë për publikun, transmeton KP.
Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot se rritja e taksës ndaj mallrave serbe është veprim i zorit, pasi Serbia ka bllokuar mallrat e Kosovës.
“Malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi, edhe pse jemi ankuar disa herë. Kjo është një masë legjitime që e ka marrë Kosova, e kemi paralajmëruar se kjo mund të rritet”, tha ai pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.