Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka paralajmëruar protestë më datën 9 korrik, pas ngritjes së aktakuzave nga Specialja ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së.
E, për këtë sot zëvendëskryeministri i Qeverisë, Besnik Tahiri ka pritur në një takim nënkryetarin e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Tahiri pas takimit ka thënë se është e drejt e tyre që të organizojnë protestë.
“Në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment unë nuk mundëm të ju them bëni ose jo protestë. Protesta paqësore është e drejt e tyre e në veçanti duke ditë që kjo protestë bëhet për të mbrojtur luftën e drejt të UÇK-së , në veçanti duke ditë se kjo proteste adreson çështje shumë të dhimbshme dhe duke ditë se ende nuk ka asnjë aktakuzë ndaj presidentit dhe ish-kryetarit të kuvendit, është gabim të ju them dilni apo mos dilni”, tha ai në një konferencë për media.
Gjithashtu, Tahiri bëri të ditur se në takim ka qenë edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ku kanë diskutuar për rekomandimet shëndetësore.
Në fund të konferencës, zëvendëskryeministri tha se një gjë është e pakontestueshme se lufta e UÇK-së është e drejt./Telegrafi/