Site icon Telegrafi

Ngritën çmimet e konsumit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin mars 2016. Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.1 për qind në muajin mars 2016 krahasuar me muajin shkurt 2016.

“Ngritje e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: pemë (3.4 për qind); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (1.6 për qind) – (ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës); shërbimet për transport (2.5 për qind)-(ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK”, tregon raporti i ASK-së, shkruan Telegrafi.

Ngritja u neutralizua tregon raporti, kryesisht nga rënia e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumësht, djathë dhe vezë (-1.4 për qind); perime (-1.6 për qind); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1.0 për qind)-(rënie e çmimit të drurëve të zjarrit) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3 për qind në IHÇK.

“Shkalla e inflacionit e matur në muajin mars 2016 me muajin mars 2015 ishte 0.1 për qind”.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.1 për qind në muajin mars 2016 krahasuar me muajin mars 2015.
“Ngritje e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: mish (2.4 për qind); vajra dhe yndyra (7.7 për qind); sheqer dhe ëmbëlsira (8.9 për qind); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perime (2.5 për qind); pije alkoolike (15.5 për qind); duhan (11.0 për qind); veshje (2.8 për qind); prodhime dhe pajisje mjekësore (3.6 për qind); blerje e automjeteve (1.4 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 për qind në IHÇK”.

“Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-1.8 për qind); qumësht, djathë dhe vezë (-1.2 për qind); perime (-7.8 për qind); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-6.7 për qind); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-4.1 për qind)-(përshkallëzimi i TVSH-së me 8.0 për qind te buka dhe drithërat, qumështi, djathi dhe vezët, uji dhe rryma, ka ndikuar në rënie të indeksit te këto nëngrupe, në një masë prej 0.5 për qind), përdorim i pajisjeve për transportin personal (9.0 për qind)-(rënie e çmimit të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -1.6 për qind në IHÇK”, ka njoftuar ASK-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version