Site icon Telegrafi

Ngrihet aktakuzë ndaj dy policëve kufitarë për keqpërdorim të detyrës

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, I.D., dhe B. Sh., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit I.D. dhe B. Sh. gjatë kryerjes së pozitës zyrtare në cilësinë e zyrtarëve policorë, më 6 prill të vitit të kaluar, në pikë kalimin kufitar në Qafë Prush, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke kaluar kompetencat e tyre, me qëllim që të sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.

Exit mobile version