Evenimentet dhe arenat sportive në Angli i kanë shtuar në masë të madhe masat e sigurisë, pas sulmit terrorist në Mançester.
Shpërthimi në fund të koncertit të Ariana Grandes në Manchester Arena shkaktoi 22 viktima dhe 59 të plagosur, ashtu që forcat e rendit janë detyruar që të shtojnë sigurinë që diçka e ngjashme të mos përsëritet.
Pikërisht në Mançester, të premten zhvillohet evenimenti publik i vrapimit ‘Great City Games’. Po ashtu, gjatë kësaj jave zhvillohet edhe finalja e Kupës FA, barazhi për EFL dhe PGA Championship.
Organizatorët janë duke komunikuar në vazhdimësi me autoritetet, në mënyrë që siguria të jetë e madhe.
Njëherësh, Manchester Unitedi e anuloi konferencën për shtyp të martën që duhej të mbahej para finales së Europa League kundër Ajaxit (që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Stokholm).
Edhe lojtarët dhe stafi i Unitedi edhe ata të Ajaxit, kanë mbajtur një minutë heshtje para stërvitjeve, për të nderuar viktimat e sulmit në Mançester. /Telegrafi/