Telegrafi

Ngjarjet në veri, KQZ-ja thërret mbledhje në orën 18:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të mbajë mbledhje këtë të martë në orën 18:00, pas ngjarjeve që ndodhën në veri të Kosovës.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se janë në pritje të raporteve nga zyrtarët komunalë të zgjedhjeve për të sqaruar situatën e krijuar.

“Jemi në pritje të njoftimeve nga zyrtarët komunalë të zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur”.

“Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, deklaroi Elezi.

Ndryshe, dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut – që të dyja komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet në Zubin Potok ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal.

REL raporton se në Mitrovicën e Veriut u dëgjuan sirena alarmuese para orës 15:00.

Paraprakisht, sipas tyre, anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, në prani të Policisë së Kosovës, tentuan të hyjnë në selinë e Komisionit Zgjedhor në këtë komunë./Telegrafi/