Site icon Telegrafi

Ngjarja e rëndë në Tropojë, një i vrarë dhe dy të plagosur, arrestohen pesë persona

Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga pesë persona pas ngjarjes së rëndë të një dite më parë në Tropojë, ku një person u vra me thikë, ndërsa dy të tjerë u plagosën.

Këta persona janë arrestuar për moskallëzim krimi, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është në arrati.

“Përkrahën autorin e vrasjes me mjete prerëse të një shtetasi dhe të plagosjes së dy të tjerëve, kryer pasditen e djeshme, për motive të dobëta, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, identifikohen dhe vihen në pranga 5 shtetas.

Ndërkaq, Policia vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas rastit të ndodhur më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, ku për motive të dobëta, shtetasi S. S., 40 vjeç, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital, u arrestuan shtetasit:

-A. Q., 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

-Xh. M., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

-A. Sh., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-A. B., 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-J. K., 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, vijojnë hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjëgjësinë penale të secilit prej këtyre shtetasve.

2 të dëmtuarit vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu, vijojnë kërkimet intensive për kapjen e shtetasit S. S..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /Telegrafi/

Exit mobile version