Pas sulmit të pretenduar radikal dhe racist në Hanau, ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, theksoi rëndësinë e pajisjeve të mira për forcat speciale të policisë.
Kështu, sipas mediave gjermane, përcjell Telegrafi, autoritetet e sigurisë duhet të jenë të përgatitur për sulme të tilla, ka thënë ai të enjten në Friedberg afër Augsburg kur ai dorëzoi një automjet special për përdorim në sulme terroriste dhe të shtënave me armë.
Siç është bërë e ditur më tej, automjeti i blinduar, i prodhuar nga ACS (Armoured Car Systems), do të vendoset në njësitë speciale në Mynih në të ardhmen.
Ndërkohë, një makinë tjetër e tillë do të dorëzohet deri në maj, e cila më pas do të përdoret në Nuremberg.
Dhe për këto automjete, shteti gjerman ka investuar hiq më pak se 2,4 milionë euro – për të dy automjetet, përcjell Telegrafi.
“Këto janë para të investuara për më shumë siguri”, citohet të ketë thënë Herrmann.
Ndryshe, në Hanau, Hesse, një gjerman 43 vjeçar vrau dhjetë persona, kryesisht migrantë dhe vrau veten të mërkurën në mbrëmje.
Herrmann theksoi se kishte patur edhe sulme të tjera edhe në Bavari vitet e fundit.
Si rezultat, qeveria e shtetit vendosi të pajisë policinë me të ashtuquajturat “automjete ofensive”.
Siç është bërë e ditur, dy makinat e policisë ngjajnë me automjetet ushtarake dhe janë posaçërisht të blinduara kundër të shtënave me armë.
Automjetet janë të destinuara për përdorim kur autorët e armatosur rëndë duan të shkaktojnë dëmin më të madh të mundshëm. /Telegrafi/