Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë, biznese këto të cilat e përbëjnë përqindjen më të lartë të zhvillimit ekonomik të vendit, sipas përfaqësuesve të bizneseve, kanë shënuar ngecje gjatë viteve të fundit.
Kjo ngecje, thonë ata, ka ardhur si pasojë e politikave të pafavorshme fiskale si dhe mungesës së mbështetjes shtetërore.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se këto biznese po ballafaqohen me probleme të mëdha. “Nga niveli i ankesave të cilat pranojmë nga ndërmarrjet e këtij sektori, ka pasur një ngecje në zhvillimin e tyre. Asnjëherë nuk janë marrë parasysh kapacitet e tyre të mangëta financiare dhe njerëzore si dhe asnjëherë nuk kemi vënë re një qasje me fleksibile duke përfshirë këtu edhe të institucioneve tatimmbledhëse, siç janë Administratat Tatimore dhe Doganat e Kosovës”, sqaron Zeka
Bizneset në Kosovë, vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që t’i subvencionojnë në mënyra të ndryshme prodhuesit vendorë, pasi që sipas tyre, “me rritjen e shitjes së prodhimeve vendore, përveç që përfiton biznesi, përfiton konsumatori me prodhime më cilësore dhe njëkohësisht përfiton shteti nga mbledhja e tatimeve dhe punësimi”.
Kompania “SCAMPA”, e cila merret me prodhimin e qeseve dhe thasëve të mbeturinave bio-degraduese, është njëra nga kompanitë në Kosovë, e cila që nga fillimi i punës në vitin 2007 është përballur me një ambient jo të mirë afarist në Kosovë.
Pronari i kësaj kompanie, Kujtim Gjevori, tregon se politikat fiskale në Kosovë nuk janë aspak të favorshme për veprimtarinë e biznesit të tij. “Fillimisht është dashur të investohet në tokë, pastaj kemi investuar në objekt, në infrastrukturë të energjisë elektrike dhe në makineri. Të gjitha këto janë bërë me mjete tona vetanake. Kredia që ne kemi marrë në bankë për krijimin e këtij biznesi ka qenë me normë të lartë të interesit. Të gjitha këto tregojnë për sfidat që ne si biznese ballafaqohemi”, tregon Gjevori.
Në raportet e shumta të bëra nga organizata ekonomike në Kosovë, ishte theksuar se furnizimi jo stabil me energji elektrike, çmimi i lartë i energjisë, qasja e kufizuar në financa janë disa nga barrierat kryesore për zhvillimin më të shpejtë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gjevori, tregon se si pasojë e këtyre vështirësive që ju paraqiten atyre në të bërit biznes, edhe profiti është i ulët. Ai vlerëson se shteti duhet të konsolidoj politikat e veta fiskale dhe të mbështes sektorin e prodhimit.
Ndërkaq sipas, drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, pa eliminimin e këtyre barrierave nuk mund të ketë zhvillim të këtyre ndërmarrjeve, dhe rrjedhimisht sipas tij, nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik. “Duhet të ketë kritere më fleksibile, qoftë në aspektin e detyrimeve të ndryshme që u vinë nga Administratat Tatimore e Kosovës dhe Doganat. Duhet të ketë një politikë të ndryshme fiskale karshi këtyre ndërmarrjeve në mënyrë që të lejohet zhvillimi i tyre, e mos të ndodhë ngufatja e tyre para se ato të mund të tregojnë kapacitetin e tyre më real”, shton Zeka.
Rritja ekonomike në Kosovë, gjatë viteve të fundit ka shënuar rënie. Nga 5.39 për qind sa ishte në vitin 2010, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike gjatë këtij viti do jetë tre për qind. /Rel/Telegrafi/