Vetëm 23 vjeç, por është në skedat e kërkimit ndërkombëtar. Bëhet fjalë për Kevin Zenelin apo Kevin Suçin, i cili rezulton i përfshirë në një seri vrasjesh me pagesë.
Quhet Kevin Zeneli apo Kevin Suçi, është vetëm 23 vjeç por është në listën e ekzekutorëve me pagesë dhe për këtë e kërkon e gjithë policia e shtetit.
23-vjeçari rezulton të jetë një person kyç në ekzekutimet dhe tentativat e vrasjeve që u zbardhën nga policia e Durrësit në aksionin e koduar ‘porositësi” ku 14 persona ranë në pranga dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim.
Kevin Suçi, dyshohet se është ekzekutori i vrasjes së 4 janarit të vitit 2022 në zonën e “Don Boskos” në Tiranë.
Ai u nis të vriste Geron Hysenbelliun, me porosi të Kasandër Nogës, një tjetër emër i botës së krimit, por ngatërroi shënjestër dhe vrau kamarierin e lokalit, 35 vjeçarin Erion Çela që po shërbente në punë si çdo ditë.
Nga plumbat e kallashnikovit të Kevin Suçit mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë.
Një tentativë rrëmbimi e dy ditëve më parë, çoi në zbërthimin e grupit kriminal që vepronte në tiranë e Durrës.
Tentuan të rrëmbenin dy vëllezërit Dentian dhe Indrit Beqiraj në autostradë por plani dështoi.
Dy vëllezërit, pas kësaj mendohet se janë kthyer në bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe kanë rrëfyer një seri ngjarjesh kriminale.
Ata kanë pranuar se janë pjesë e një grupi kriminal vrasësish me pagesë dhe kanë përmendur emrin e Kevin Suçit.
Rezulton që dy vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiri janë të përfshirë në vrasjen e muajit maj të këtij viti në Sukth ku u vra me breshëri Arben Mërkuri i njohur si Maneci, gjithashtu i përfshirë në një seri vrasjesh.
Për vrasjen e Manecit, financues dyshohet të jetë Kasandër Noga dhe ekzekutor 23 vjeçari Kevin Zeneli apo Kevin Suçi. 23 vjecari është aktualisht në kërkim ndërkombëtar për një tentativë vrasjeje në Belgjikë.
Kevin Suçi akuzohet nga policia e shtetit për vrasje, mbajtje dhe prodhim armësh e municionesh si dhe sigurim i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.