Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë nga therja me thikë, sonte në orët e mbrëmjes, në fshatin Dobërçan të Gjilanit. Policia ka arrestuar një të dyshuar lidhur me rastin.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjilan, Valon Osmani.
“Me datën 16.12.2023 rreth orës 21:00 kemi pranuar informacion se një person nga fshati Dobërçan është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë. Viktima nuk ka arritur t’iu përballojë plagëve të shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar”, ka thënë Osmani.
“Në lidhje me këtë rast zyrtarët policor kanë arrestuar një të dyshuar. Njësitet policore relevante së bashku me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku aktualisht janë duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast”, ka thënë zëdhënësi. /Telegrafi/