Të enjten pasdite ka përfunduar xhiro e 11-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, xhiro ku katër ndeshje kanë përfunduar me barazim dhe një fitore e ka marrë ekipi vendas.
Drita ka triumfuar në derbin e javës, pasi mposhti Prishtinën me rezultat të thellë 3-0, ndërsa Ballkani ka luajtur baras 3-3 me Gjilanin.
Ndeshje tjetër interesante ka qenë edhe ajo në mes të Dukagjinit dhe Suharekës, e cila ka përfunduar me barazim 2-2.
Dy barazimet tjera të kësaj xhiro ishin ai në mes të Llapit dhe Feronikeli ’74 me rezultat 2-2 dhe Ferizaj-Malisheva që luajtën 1-1.
Telegrafi Sport vazhdon të sjell formacionin më të mirë të javës, ku kësaj here dominohet nga futbollistët e Dritës.
Portier:
Faton Maloku pati një paraqitje të përkryer në fitoren 3-0 ndaj Prishtinës. Kryeqytetasit patën disa mundësi shënimi në këtë ndeshje, por portieri i Dritës ishte në krye të detyrës.
Mbrojtësit:
Në krahun e djathtë padyshim që gjendet Armend Thaqi, i cili shënoi dy gola ndaj Ballkanit, ndërsa në krahun e majtë Ilir Blakçori, i cili ia siguroi Llapit një pikë me golin në minutat shtesë.
Në qendër të mbrojtjes gjenden Egzon Bejtullai që ishte i pakalueshëm ndaj Prishtinës, teksa paraqitje të mirë pati edhe Dreni Kryeziu ndaj Ferizajt.
Mesfusha:
Në qendër të mesfushës është Albert Dabiqaj, i cili ishte njeriu kryesor në fitoren e Dritës ndaj Prishtinës, duke shënuar dy gola.
Para tij gjenden Giovanni që gjithashtu shkëlqeu ndaj Gjilanit, ashtu sikurse edhe Liridon Fetahaj që me një gol pati paraqitje të mirë ndaj Dukagjinit.
Në krahët e mesfushës, por me tipare sulmuese gjenden Hasan Hyseni, i cili gjithashtu shënoi në barazimin e Feronikeli ’74 ndaj Llapit dhe Albion Kurtaj që ia siguroi një pikë në minutat shtesë Ferizajt.
Sulmues:
Në vijën e sulmit i vetëm është talenti i madh i Dukagjinit, Hekuran Berisha, i cili dhuroi spektakël në barazimin 2-2 ndaj Suharekës.
Berisha shënoi dy golat për klinasit, duke u konfirmuar si njëri nga talentët më të mëdhenj të momentit në Superligën e Kosovës.
Trajneri:
Zekirija Ramadani triumfoi ndaj Prishtinës me Dritën e tij. Drita e Ramadanit dominoi nga fillimi deri në fund ndaj kryeqytetasve derisa u vërejt dora e Ramadanit që kishte përgatitur skuadrën për mrekulli duke shënuar tri gola dhe duke mos u ndier asnjëherë e rrezikuar.
/Telegrafi/