Telegrafi

Nga sot pritet stabilizim i motit, gjatë javës temperaturat deri në 32 gradë

Foto: Ilustrim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se nga e marta pritet stabilizim i masave të ajrit, pasi që në fushat barike pritet rritje e ngadalshme dhe orët me diell do të jenë më shumë prezentë.

Temperaturat minimale gjatë kësaj periudhe pesëditëshe do të lëvizin ndërmjet 9-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 24-32 gradë Celsius.

Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-9m/s.

Kushtet biometeorologjike do të jenë relativisht të mira, po ashtu edhe kushtet agrometeorologjike paraqiten të mira, për shkak të prezencës së reshjeve ditëve të fundit dhe orëve me diell që do të jenë gjatë javës që po na pret.

Fatkeqësisht në shumë zona, por në sipërfaqe të kufizuara kishte edhe reshje breshëri që shkaktuan dëme në shumë kultura bujqësore që u përfshinë. /Telegrafi/