Telegrafi

Nga shoqëria civile thonë se BE-ja po përdor kushtëzime ndaj Kosovës për vizat

Bashkimi Evropian po përdorë kushtëzime ndaj Kosovës për liberalizim, si dhe po bënë padrejtësi ndaj vendit tonë në këtë proces. Kështu thonë njohësit e çështjeve politike, përderisa deklarojnë që emigrimi ilegal i kosovarëve në BE nuk mund të jetë problem për liberalizimin e vizave.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, edhe një herë ka deklaruar se Kosovës po i bëhet e padrejtë me mos liberalizimin e vizave.

Profesori universitar Seb Bytyqi  thotë se mos liberalizimi i vizave po ndodh për shkak se BE-ja po përdorë faktorin e kushtëzimit ndaj Kosovës.

“BE-ja po tenton ta kushtëzoj Kosovës me veprime të ndryshme që lidhen me dialogun siç është edhe ai për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Seb Bytyçi.

Drejtori i Instituti Epik, Demush Shasha, thotë se emigrimi ilegal i qytetareve të Kosovës në BE, nuk mund të jetë faktor për mos liberalizim.

“Numri i qytetarëve të Kosovës që janë zënë me qëndrim ilegal në vendet e BE-së gjatë vitit 2019 për momentin nuk mund të konsiderohet si kërcënim apo alarm për vendet anëtare të BE-së në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave”, deklaroi Demush Shasha.

Ditëve të fundit kemi pasur edhe deklarimet zyrtare të përfaqësuesve të shtetit francez e holandez, të cilët deklarojnë që Kosova sipas tyre nuk i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave. /RTV Dukagjini/Telegrafi/