Telegrafi

Nga rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO e deri te ftesa për takim dypalësh – përmbajtja e letrës së plotë të Osmanit dërguar Bidenit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 10 mars i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, nga i cili ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në letrën e saj të cilën e ka siguruar Telegrafi, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova sot është faktorë kyç në promovimin e stabilitetit rajonal, duke shprehur që SHBA-të në këtë kohë sfiduese për të gjithë, mund të llogarisin në mbështetjen e Republikës së Kosovës.

“Kjo është në fund të fundit vendosmëria e popullit të Kosovës, por është edhe arritja jonë e përbashkët, prandaj SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit tonë. Në këtë kohë sfiduese, dhe si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të llogarisin në Republikën e Kosovës si një mike dhe aleate e përkushtuar dhe si një vend që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta”, ka shkruar Osmani në letrën drejtuar Biden.

Lexo po ashtu Ekskluzive - Osmani letër presidentit Biden, kërkon ndihmën e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO  

Osmani më tej ka theksuar se integrimi euroatlantik ka qenë gjithmonë synimi ynë, por sot – në dritën e ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin evropian – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare.

“Evropa po përballet me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Derisa ne ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë shumë i rëndësishëm. Argumentet që kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO shpërfillin rëndësinë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, e cila është nën rrethimin në rritje nga tendencat autoritare dhe politikat e tyre agresive”, thekson Osmani, shkruan Telegrafi.

Ajo më tej shkruan se Republika e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton, beson plotësisht se duhet të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike të kombeve.

“Kosova është vendi më pro-amerikan dhe pro NATO-s në botë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (PfP) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (A5). Duke pasur parasysh këtë, ne shprehim besimin dhe pritshmërinë tonë që SHBA-të do të përdorin lidershipin dhe ndikimin e tyre për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit në NATO për Kosovën duke filluar me programin PfP dhe anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatikut”, shkruan më tej Osmani në letrën e saj.

Presidentja e Kosovës ka shtuar se jemi optimistë se do të kemi mbështetjen e aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë përpjekje vendimtare.

“Pres me padurim mundësinë për t’u takuar me ju personalisht sa më shpejt që të jetë e mundur. Pranoni konsideratën time më të lartë për ju dhe vendin tuaj. Zoti i bekoftë kombet tona dhe botën e lirë”, shkruan në fund të letrës, presidentja Osmani. /Telegrafi/