Keith Flint ka qenë një këngëtar, muzikant dhe valltar, ndërsa më së shumti ishte i njohur si frontmeni i bendit “The Prodigy”, ku i ka kënduar disa prej hiteve më të mëdha të këtij grupi. Ai ka ndërruar jetë në moshë 49 vjeçare dhe besohet se ka bërë vetëvrasje.
Biografia
Keith Charles Flint lindi më 17 shkurt 1969 në Redbridge të Londrës në Angli, ndërsa u rrit në pjesën lindore të Londrës. Në mesin e viteve të shtatëdhjeta, prindërit e tij u zhvendosën në Springfield të Essexit.
Fëmijëria e tij është etiketuar si e palumtur dhe ai shpesh kishte zënka me prindërit kur ishte adoleshent. Në vitet shkollore është përshkruar si një djalë i mençur me disleksi, ndërsa ishte problematik në klasë.
Disleksia (paaftësia për të lexuar) është një çrregullim në të mësuar që përfshin vështirësinë në lexim për shkak të problemeve të identifikimit të tingujve dhe lidhjen e tyre me shkronjat dhe fjalët (deshifrimin). Disleksia i prek zonat në tru që i përpunojnë fjalët dhe gjuhën. Njerëzit me disleksi kanë inteligjencë normale dhe zakonisht kanë edhe shikim normal. Shumica e fëmijëve me disleksi mund të rezultojnë të suksesshëm në shkollë me një ndihmës ose program të specializuar të edukimit. Mbështetja emocionale, po ashtu luan një rol të rëndësishëm. Edhe pse nuk ka një mjekim për disleksinë, qasja dhe ndërhyrja e hershme sjell rezultate më të mira.
Në moshën 15 vjeçare ishte përjashtuar nga shkolla. Si adoleshent punonte në ndërtimtari për rregullimin e kulmeve, ndërsa në vitet e tetëdhjeta hyri në skenën muzikore në zhanrin ‘acid house’ të muzikës elektronike.
Karriera muzikore
Kah fundi i viteve të tetëdhjeta, Flint u takua me DJ Liam Howlett në një klub lokal në Braintree dhe ia shprehu admirimin për muzikën e tij. Pasi e mori një ‘mixtape’ nga Howlett, Flint u kthye me entuziazëm duke i thënë se ato këngë duhej të performoheshin në skenë dhe se ai së bashku me një shok, Leeroy Thornhill, do të vallëzonin me to.
Fillimisht, Keith ishte valltar i grupit, mirëpo në vitin 1996 u angazhua si vokalist në hitin e madh, “Firestarter”, teksa kishte ndërtuar një imazh të stilit ‘punk’. Ky trend vazhdoi me këngën e radhës të “The Prodigy”, “Breathe”, në të cilën Flint ishte vokalisti kryesor, kurse Maxim ishte vokal shoqërues.
Albumi i vitit 1997, “The Fat of the Land”, e shfaqte Flintin si vokalist në disa prej këngëve kryesore, si “Breathe”, “Serial Thrilla”, “Fuel My Fire” e “Firestarter”. Në vitin 2002 u publikua kënga “Baby’s Got a Temper”, ndërsa në albumin e ardhshëm, “Always Outnumbered, Never Outgunned” (2004), Flint nuk ishte në rolin e këngëtarit.
Albumi i “The Prodigy”, “Invaders Must Die”, që u lansua në vitin 2009 e riktheu atë si këngëtar në shumë këngë, ndërsa në vitin 2012, Flint e lansoi këngën “War” në bashkëpunim me artistin Caspa.
Për disa vite në vazhdim, ai eksperimentoi me shumë projekte solo duke përfshirë edhe grupet “Flint” dhe “Clever Brains Fryin'”. Ndërsa nga albumi “Device #1” u publikua vetëm kënga “Aim4”, pasi albumi debutues solo i tij u anulua para publikimit.
Garat me motoçikleta
Saddened to hear that Keith Flint has passed away. Not just a global music icon but also a massive fan and friend to the motorcycle racing community.
Rest in peace, Keith. Thank you for your passion and unwavering support for racing at every level. #Firestarter pic.twitter.com/yybtP5AKQ0
— MotoGP™🏁 (@MotoGP) March 4, 2019
Flint ka qenë një motoçiklist shumë i mirë. Ai kishte vozitur 2.414 kilometra nga Anglia për në Spanjën jugore që të merrte pjesë në garën për çmimin e madh të Spanjës në vitin 2007, si edhe ka marrë pjesë në gara të klubeve me motoçikleta.
Ai ka pasur ekipin e vet të motoçiklizmit, Team Traction Control, që ka bërë gara në kampionatin ‘British Supersport Championship’, si pjesë e pakos ‘British Superbike Championship’. Në vitin 2015, Team Traction Control fitoi dy gara të “Isle of Man TT” nën drejtimin e Ian Hutchinson.
Jeta personale
Flint ka qenë në lidhje me prezantuesen televizive, Gail Porter, me të cilën ishte ndarë në vitin 2000. Më pas, ai u lidh me DJ japoneze Mayumi Kai, me të cilën u martua.
Gjatë jetës, Keith Flint ka pasur probleme të mëdha me vartësinë nga alkooli dhe droga, si edhe shkallë të rëndë të depresionit, saqë në një rast kishte thënë se vetëm dashuria për qentë e kishte ndalur të mos bënte vetëvrasje. Muzikanti e kishte kërkuar ngushëllimin në alkool dhe drogë, pas ndarjes së grupit.
“Merrja kokainë, marihuanë, pija shumë. Kjo më bëri të ngathët, të mërzitshëm dhe të cekët. Bëja një radhë me tableta dhe i merrja, i merrja dhe harroja sa i kisha marrë, derisa e humbja vetëdijen”, kishte thënë për The Times.
Në të njëjtën kohë kishte pranuar se ka pasur ide vetëvrasëse: “Por, duhet të kesh shumë guxim ta vrasësh veten. Unë isha frikacak”.
Vdekja
Më 4 mars 2019, pas shqetësimeve për mirëqenien e tij, ishte thirrur policia që ta vizitonte shtëpinë e tij në North End në afërsi të Great Dunmow në Essex, ku ai u gjet i vdekur. Policia nuk e ka trajtuar vdekjen si të dyshimtë. Ndërkaq, anëtari i grupit, Liam Howlett, kishte shkruar në rrjetet sociale se muzikanti ka bërë vetëvrasje.
“Lajmi është i vërtetë, nuk mund të besoj se po e them këtë , por vëllai ynë, Keith, ia mori jetën vetes gjatë fundjavës. Jam i shokuar, shumë i zemëruar, i hutuar dhe me zemër të thyer… U prehsh në paqe vëlla”, ka shkruar ai. /Telegrafi/