Pas një rrugëtimi të gjatë, ky edicion i Superligës së Kosovës në basketboll do të përfundojë sonte në Mitrovicë. Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen në sfidën vendimtare, dhe fituesi i kësaj ndeshje do të shpallet kampion i Kosovës.
Seria finale është 2:2, që ishte shumë interesante, kurse interesimi për finalen e pestë të “Play-offit”, është i jashtëzakonshëm. ‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.
Mitrovicasit duan titullin e pestë në histori të klubit, apo të parin që nga viti 2012, kurse therandasit të tretin, ku më 2021 dhe 2022 ishin shpallur kampionë të Kosovës.
Interesimi për të siguruar një biletë për këtë ndeshje është jashtëzakonisht i madh.
Që nga ora 6 e mëngjesit të sotëm, tek palestra “Minatori” janë krijuar radhë të gjata të tifozëve për të blerë një biletë.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë gjatë gjithë ndeshjes, me mitrovicasit që do t’i japin mbështetje të fuqishme skuadrës së tyre me qëllimin e vetëm për t’u shpallur kampion të Kosovës.
Tifozi Deniz Meha i cili po priste në radhë për një biletë deklaroi për KosovaPress se lojtarët e Yllit po i pret ferri në “Minatori”.
Ndërsa i bindur se Trepça do të shpallet sonte kampion është shprehur tifozi tjetër Muharrem Vojvoda.
Ballafaqimi ndërmjet Trepçës dhe Yllit do të nis nga ora 19:00.