Kylian Mbappe u bë lojtari i parë që i shënoi Gianluigi Buffonit në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve këtë sezon.
Juventusi fitoi me rezultat 2-1 në ndeshjen kthyese gjysmëfinale duke u kualifikuar në finale, ndërsa në këtë takim u ndërpre seria pa gola e Zonjës së Vjetër (Bianconerët nuk kishin pranuar gol në gjashtë ndeshje radhazi dhe në asnjërën prej pesë takimeve paraprake në fazën e eliminimit direkt).
Kur ka lindur Kylian Mbappe (20 dhjetor 1998), Gianluigi Buffon ishte 20 vjeçar dhe luante te Parma.
Pas dy sezonesh (në verën e vitit 2001), portieri legjendar u transferua te Juventusi për një shumë në vlerë prej 53 milionë eurosh.
Sot ai është kapiten i Zonjës së Vjetër, i ka fituar shtatë tituj zyrtarë të Serie A (dhe dy të tjerë që iu morën Juves pas Calciopolit), tri Kupa të Italisë (një me Parmën), Kupën e UEFA-s (me Parman), Kampionatin Botëror me Italinë, si edhe ka luajtur në dy finale të Ligës së Kampionëve.
Të martën mbrëma, gardiani italian u kualifikua në finalen e tretë të Ligës së Kampionëve në karrierë dhe do të shpresojë që ta fitojë para se ta mbyllë karrierën e tij jashtëzakonisht të suksesshme.
Përkundër golit të pranuar, Juventusi nuk ka humbur në 51 ndeshje garuese në terren vendas. Juve nuk ka pësuar humbje në shtëpi në të gjitha garat që nga gushti i vitit 2015 kur humbi nga Udinese me rezultat 1-0.
Ndërsa sa i përket Ligës së Kampionëve, skuadra e fundit që ka fituar në Juventus Arena ka qenë Bayern Munichu në prillin e vitit 2013. /Telegrafi/