Në tri ditët e fundit janë zhvilluar ndeshjet e javës së 13-të në Superligën e Kosovës, ku nuk munguan përballjet e forta, befasitë e mëdha dhe golat në minutat e fundit.
Gjilani luajti baras në shtëpi më Suharekën me rezultat 1-1, ndërsa Dukagjini mori një fitore të madhe ndaj Feronikelit 74 me nëntë lojtarët duke marr tri pikë në fund.
Llapi dhe Prishtina luajtën baras me rezultat 1-1, ndërsa Drita mori tri pikë të mëdha ndaj Ferizajt si mysafir me fitoren 2-1.
Ballkani fitoi në shtëpi ndaj Malishevës me rezultat 1-0, duke iu bashkuar Dritës në krye.
Redaksia e Telegrafi Sport ka zgjedhur formacionin e javës së 13-të në Superligën e Kosovës.
Portier
I abonuari në javët e fundit, Altik Muhaxhiri, zhvilloi një ndeshje të madhe ndaj Feronikelit, ku përveç se priti penalltinë, ai bëri disa pritje edhe në minutat e fundit.
Këto pritje ia mundësuan ekipit të merrte tre pikët e radhës duke e qetësuar në mesin e renditjes.
Mbrojtja
Mbrojtja vjen më katër lojtarë, të cilët në xhirot e fundit kanë kapur fuqishëm formën.
Në të djathtë është Besnik Krasniqi, i cili përveç se ktheu në gol një penallti, bëri një paraqitje shumë të mirë në krahë.
Në qendër janë Egzon Bejtullai që i solli fitoren Dritës me golin me kokë, ndërsa edhe në fazën defanzive ishte stabil. Në krahë me të është Bajram Jashanica që me paraqitjen e tij ishte vendimtar në fitoren e Ballkanit.
Në të majtë është një nga lojtarët më në formë të Prishtinës, Dion Gallapeni, i cili luajti 90 minuta si një ‘violinë’, ndërsa në momentet e fundit asistoi te goli i barazimit.
Mesfusha
Në dy ndeshjet e fundit, Ardian Limanin po e shohim në një pozitë të re, në mesfushë, ndërsa ai ndaj Llapit arriti të shënojë për t’i sjell Prishtinës një pikë.
Me të në krahë është Ergyn Ahmeti, i cili ishte individi më i dalluar i Llapit në përballjen ndaj Prishtinës (1-1).
Në të djathtë është Vlad Khomutov i Dukagjinit, i cili ka kapur fuqishëm formën në përballjet e fundit, ndërsa ndaj Foronikelit 74-të asistoi një perlë për Vitor Hugon që shënoi në kohën shtesë.
Në të majtë është Nikola Stijepovic i Suharekës, i cili luajti jashtë pozitës së tij, por bëri paraqitje të shkëlqyer që u vulos edhe më një gol.
Sulmi
Në krye të formacionit kemi dy lojtarë vendimtarë në këtë javë, që sollën pikë për ekipet e tyre.
Sunday Adetunji me golin e tij të shënuar sot, ia solli tri pikë Ballkanit ndaj Malishevës në derbin për kreun e renditjes.
Senad Jarovic, vazhdon të mbetet lojtari kryesor i Gjilanit, i cili po ashtu me golin e shënuar i solli një pikë Gjilanit.
Trajneri
Pa dyshim që kjo pozitë shkon për trajnerin e Dukagjinit, Ismet Munishin, i cili mori fitore ndaj Feronikelit 74 edhe pse kishte në fushë vetëm nëntë lojtarë.
Tri pikë të mëdha që e vendosin skuadrën e tij në një pozitë komode, ndërsa në pesë ndeshjet e fundit ka tri fitore dhe dy barazime./Telegrafi/