Sonte pas mesnate edhe zyrtarisht fillon fushata parazgjedhore e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 dhjetor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Paraprakisht do të mbahen edhe konventat promovuese të tre partive, gjegjësisht koalicioneve nga kampi politik shqiptar.
Sot Bashkimi Demokratik për Integrim do të mbajë konventën promovuese në sallën Bris Trajkovski në Shkup, ndërsa në po në këtë sallë të martën konventën promovuese do ta mbajë edhe Lëvizja Besa dhe RDK të cilët në këto zgjedhje do të garojnë me listë të përbashkët.
Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët konventën promovuese të kandidatëve për deputet do ta mbajë sonte në sallën e sportit në Gostivar.
PDSH konventën promovuese e ka mbajtur më herët, ndërsa nesër zyrtarisht fushatën e fillon me një tubim qendror në Studeniçan.
Dy koalicionet më të mëdha të partive maqedonase, të drejtuara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM poashtu kanë përfunduar konventat dhe nesër fillojnë fushatën me takime të drejtpërdrejta me elektoratin.
Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i drejtuar nga VMRO fushatën e fillon në Ohër, ndërsa koalicioni opozitarë maqedonas i drejtuar nga LSDM-ja opozitare tubimin e parë do ta zhvillojë në Prilep.