Që kur Wladimir Klitschko humbi përballë Anthony Joshua më 2017 dhe njoftoi tërheqjen e tij nga boksi, gjithmonë ka pasur spekulime për një rikthim të mundshëm. Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë ka vazhduar të stërvitet dhe të shfaqë një formë fizike të lakmueshme.
Ndjekësit e tij në rrjetet sociale i kanë kërkuar shpesh që t’i kthehet boksit profesionist në përpjekje për të thyer rekordin e jetëgjatësisë së George Foreman, i cili u bë kampion i peshave të rënda në moshën 45-vjeçare, pasi mposhti Michael Moorer dhe zgjati mbretërimin e tij derisa humbi ndaj Shannon Briggs, tashmë 48 vjeç e 316 ditë.
‘Wlad’ mbushi 46 vjeç një muaj më parë. Pas pushtimit rus të Ukrainës, ai iu bashkua mbrojtjes territoriale të Kievit dhe ka qenë në krah të vëllait të tij, Vitali, kryebashkiak, gjatë gjithë kohës.
Ndoshta nuk i kushton më aq kohë boksit, por filozofia e ish-kampionit është të çlirojë mendjen kur ta lejojnë detyrimet, siç tha në një intervistë për BILD, pas fitores së Tyson Fury ndaj Dillian Whyte.
“Kam mësuar që, pavarësisht luftës, nuk duhet të harrosh jetën tënde. Sporti është pjesë e jetës sime. Jam i kënaqur që Fury ka fituar”, deklaroi Klitschko, i cili nuk përjashton mundësinë që të hyjë sërish në ring.
“Kush e di, nuk dua të premtoj asgjë të madhe, por nëse jam në formë të mirë dhe mbi të gjitha nëse lufta në Ukrainë përfundon shpejt e nuk ka pushtim rus në kufijtë tanë, atëherë kush e di?”.
Wladimir më pas zbuloi se ka diçka që e motivon: “Unë ëndërroj të thyej rekordin e George Foreman për të qenë kampioni më i vjetër i botës në peshat e rënda në histori. Kjo më motivon të ngrihem çdo ditë dhe të ushtrohem.
“Secili ka motivimin e vet. Nuk dua të thyej një nofull, dua të thyej një rekord. Gjatë luftës është mirë të flasim për paqen në Ukrainë. Kur të vijë paqja, ne do të flasim përsëri për këtë”, ka shtuar më tej ai. /Telegrafi/