Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se nga ky muaj Departamenti i Mikrobiologjisë, Laboratori Referent Nacional për Tuberkuloz në IKSHPK ka filluar të ofrojë testimin për tuberkuloz (TB) te fëmijët duke përdorur metodën GeneXpert MTB/RIF, duke përfshirë gjithashtu mostrën e jashtëqitjes (fecesin).
Në njoftim thuhet se kjo metodë e re mundëson diagnozën më të saktë, më të shpejtë dhe më të lehtë për t’u realizuar te fëmijët.
“Për fëmijët, ekspektorimi i vështirë është një sfidë e zakonshme, sidomos kur dyshohet për tuberkuloz, prandaj përdorimi i fecesit si një mostër alternative për diagnozën e TB pulmonare pediatrike është një opsion i rëndësishëm”, thuhet në njoftim.
Përparësitë kryesore të kësaj qasjeje përfshijnë:
Senzitivitet dhe specifitet i lartë: GeneXpert MTB/RIF ofron ndjeshmëri të lartë në zbulimin e tuberkulozit, veçanërisht në rastet pediatrike ku metodat konvencionale mund të jenë më pak efektive
Rezultate të shpejta: Testi jep rezultate të shpejta, që është thelbësor për diagnostikimin dhe trajtimin në kohë
Zbulimi i rezistencës ndaj Rifampicinës: Ai gjithashtu zbulon rezistencën ndaj rifampicinës, një faktor i rëndësishëm në menaxhimin e tuberkulozit rezistent ndaj shumë barnave.
Implementimi i kësaj metode do të kontribuojë në një diagnozë më të saktë dhe më të shpejtë, duke ndihmuar në diagnostifikimin e hershëm të tuberkulozit te fëmijët. /Telegrafi/