Site icon Telegrafi

Nga kriza në krizë

Fillimi i punës së Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës , ka reflektuar shenjat e para të një krize të re, thonë analistët politikë. Situata e krijuar në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas tyre, burimin e ka në sistemin zgjedhor i cili vlerësohet se nuk i ka mundësuar asnjërës parti apo koalicioni që të fitojë një shumicë parlamentare.

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, formimi i propozimi për kryetarin e Kuvendit si dhe për formimin e Qeverisë i takon koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, si subjekt fitues.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike i tha Radios Evropa e Lirë se e gjithë kjo situatë e cila ndodhi në seancën konstituive ka qenë e pritshme. Ai shprehet se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të koalicioni PAN se ata i kanë numrat, faktet tregojnë të kundërtën.

“Fillimi i punës së legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës u karakterizua edhe me fillimin e një krizë, në kuptim e asaj se ishin dy muaj kohe dhe koalicioni fitues i zgjedhjeve duket se nuk i ka numrat për të zgjedhur kryetarin, dhe rrjedhimisht për t’i hapur rrugë edhe krijimit të Qeverisë. Në fakt sot në seancë pamë një papërgjegjshmëri të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së, që nuk erdhën në kohën e duhur në Kuvend dhe pastaj kur erdhën dhanë lajmin se iu duhet edhe dy orë tjera në mënyrë që të vazhdojnë konsultimet”, thotë Mushkolaj.

Në anën tjetër, Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës ishte kaotike.

“Kjo tregon situatën në Kosovë, e cila rrjedh nga sistemi zgjedhor i Kosovës, i cili nuk i ka mundësuar asnjërës parti parazgjedhore që të fitojë një shumicë parlamentare , që të mundëson zgjedhjen e personaliteteve në pozitat e caktuara. Kjo është edhe pasojë e vendimeve absurde të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, e cila i ka sjell dhe do të vazhdojë t’i sjell Kosovës kokëçarje të mëdha në funksionimin e sistemit të saj politik. Në anën tjetër, mendoj që mbyllja e seancës nuk është dashur të ndodh nuk është dashur të ndodh as kërkesa për pauzë”, thekson Qirezi.

Qirezi shton se gjithë kjo situatë e krijuar e cila mund të dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen të shqetësuar për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Hasan Selimi, pensionist, thotë se nuk ka besim se krerët e institucioneve po bëjnë më të mirën për qytetarët.

“Partitë në Kosovë po punojnë vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata po i blejnë votat e deputetëve për interesa të veta. Populli po i voton ata, pastaj po ballafaqohet me probleme të mëdha”, thotë ai.

Ndërkaq, Naim Haliti një qytetar nga Prishtina thotë se gjendja në Kosovë duhet të ndryshojë.

“Do të kisha pasur dëshirë të ndodh diçka. Nuk di se çka të them. Nëse do të mund të konstituohen institucionet e vendit, çështjet më të cilat do të duhej të merren janë arsimi, shëndetësia dhe shumë çështje tjera, mendoj se duhet të ndryshohet diçka”, thotë Haliti.

Nëse nuk gjendet një zgjidhjet që të votohet kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës nga koalicioni PAN dhe t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë, Mushkolaj thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme.

“I mbetet PAN-it që të gjejë zgjidhje, duke pasur parasysh se deklarimet e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe koalicioni LAA janë të qarta, se ata nuk do të votojnë Kadri Veselin për kryetar. PAN duhet të ndërmarrë marr hapin e parë që të diskutojë me deputetët e LDK-së, AKR-së, Alternativës dhe VV-së në mënyrë që të merren vesh për votimin e një kandidati tjetër dhe të konstituohet Kuvendi, dhe pastaj të procedohet brenda afatit kushtetues dhe ligjor edhe për krijimin e Qeverisë”, thekson Mushkolaj.

Qëndrimet e kundërta ndërmjet partive politike, sipas analistëve, nuk figurojnë asgjë tjetër përveç shkuarjes së vendit edhe në një palë zgjedhje të jashtëzakonshme. /REL/

Exit mobile version